Masa të rrepta sigurie do të jenë në fuqi gjatë vizitës së kancelares gjermane në Serbi.
“Blic” bën me dije se me qindra forca policie kanë “blinduar” Beogratin, ndërsa nuk mungon monitorimi nga ajri. Bëhet me dije se gjatë vizitës së Merkel do të jenë vazhdimisht dy helikopterë në ajër që do të monitorojnë zonën.
Rreth 600 persona do të jenë drejtpërdrejt përgjegjës për sigurinë e kancelares gjermane.
Kujtojmë që pas vizitës në Beograt, nesër Merkel do të vizitojë Shqipërinë. Merkel fillimisht do të zhvillojë një bisedë me kryeministrin Edi Rama. Të planifikuara janë biseda që lidhen me çështjet e politikës ekonomike dhe marrëdhëniet dypalëshe midis Shqipërisë dhe Gjermanisë.
Më pas do të ketë bisedime me krerët e qeverive të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, në plan të parë do të jenë çështjet e bashkëpunimit rajonal.
Merkel vizitën e lamtumirës si kancelare ka vendosur ta japë në Ballkanin Perëndimor, pasi zgjodhi Beogratin dhe Tiranën.