Mbretëresha Elizabet i dërgon letër zyrtare Kim Jong Un-it ( Lexoni tekstin)

2 Minuta Lexim

Mbretëresha e Britanisë Elizabetë i ka dërguar letër udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un me rastin e përvjetorit të ditës kombëtare të këtij shteti. Lajmin e konfirmoi për televizionin CNN një zëdhënës i Pallatit Mbretëror.

Pallati tha se kjo është praktikë standarde për ditët kombëtare të vendeve në mbarë botën. “Si në vjetët e kaluar, Mbretëresha i ka dërguar mesazh popullit të Koresë Veriore me rastin e Ditës Kombëtare të tyre”, tha një zëdhënës.

Koreja Veriore e festoi ditën kombëtare më 9 shtator për ta shënuar kështu 73-vjetorin e themelimit. Festa u shënua me një paradë ushtarake të mbajtur natën. Kim Jong-un u shfaq në paradë, por nuk mbajti ndonjë fjalim.

Mediet shtetërore të Koresë Veriore e publikuan mesazhin e Mbretëreshës Elizabetë të hënën. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, KCNA, në letër shkruhej: “Përderisa populli i Republikës Popullore Demokratike të Koresë e feston Ditën Kombëtare, jua dërgoj urimet e mia për të ardhmen.”

Ndryshe, Koreja Veriore, edhe ashtu një ndër shtetet më të izoluara në botë, më 2020 i shkëputi gati edhe ato lidhje që i kishte me botën e jashtme në përpjekje për ta parandaluar hyrjen e koronavirusit në vend.

Ky shtet nuk ka raportuar zyrtarisht për asnjë rast me Covid-19, ndonëse ekspertët dyshojnë se një gjë e tillë nuk është e mundur. Shumica e diplomatëve të huaj janë larguar nga Koreja Veriore, duke i përmendur si arsye mungesën e ushqimit dhe kufizimet ekstreme në jetën e përditshme.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull