Messi, Mbappe e Neymar janë ende larg formës së tyre më të mirë dhe përveç emrave që mbajnë në fanelë, pak po trembin mbrojtjet kundërshtare.
PSG-së iu desh ndihma e stolit për të marrë me vështirësi dhe në minutat e fundit tre pikët në sfidën përballë Lionit, që u mbyll 2-1 për parizienët.
Lioni kaloi i pari në avantazh me anë të ish-milanistit Paqueta në fillim të pjesës së dytë.
Neymar barazoi me penallti në minutën e 66-t. 10 minutat e fundit të ndeshjes, trajneri Pochetino vendos që të hedhë në fushë Icardin në vend të Di Marias. Ishte pikërisht Icardi ai që shënoi golin e fitores në minutën e dytë të shtesës.
Ndërkohë, trajneri argjentinas i sheikëve duhet sa më parë që të gjejë recetën e funksionimit të treshes Mbappe-Messi-Neymar, e cila nuk funksionoi as ndaj Club Brugge në Champions, ndeshje që u mbyll në barazim 1-1.