Dy gazetarë fitojnë çmimin Nobel për Paqen: Mbrojtën lirinë e shprehjes

1 Minuta Lexim

Çmimi Nobel për Paqen u është dhënë gazetarëve Maria Ressa dhe Dmitry Muratov për “përpjekjet e tyre për të mbrojtur lirinë e shprehjes, e cila është një parakusht për demokracinë dhe paqen e qëndrueshme”.

Komiteti norvegjez i Nobelit thotë se Ressa dhe Muratov po marrin Çmimin e Paqes për betejën e tyre të guximshme për lirinë e shprehjes në Filipine dhe Rusi.

Dmitry Muratov është një gazetar në Rusi, i cili në vitin 1993 themeloi gazetën e pavarur “Novaja Gazeta”. Ai u nderua me çmimin prestigjioz për përpjekjet e tij në mbrojtjen e lirisë së shprehjes, ndonëse në kushte shumë sfiduese.

Maria Ressa, gjithashtu, përdori lirinë e shprehjes për të ekspozuar abuzimet me pushtetin dhe rritjen e autoritarizmit dhe dhunës në vendlindjen e saj në Filipine. Ressa është bashkëthemeluese e “Rappler”.

Kjo është hera e 102 -të që jepet çmimi Nobel për Paqen. Fituesit e mëparshëm përfshijnë Nelson Mandelën, Martin Luther King, Jr., disidentin polak Lech Walesa, udhëheqësin e fundit të Bashkimit Sovjetik Mikhail Gorbachev dhe katër Presidentë të SHBA.

Vitin e kaluar, çmimin e mori Programi Botëror i Ushqimit i Kombeve të Bashkuara.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull