Në seancën e fundit stërvitore , grupi ishte i plotë me përjashtim të sulmuesit Bekim Balaj, i cili vazhdon të vuaj dëmtimin në kofshë, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës është gati.
Tekniku Edi Reja u fokusua më së shumti te ushtrimet taktike dhe fizike për skuadrën për të qenë në formën të mirë përballë hungarezëve. Në sfidën e parë të zhvilluar në “Elbasan Arena”, në muajin shtator, Shqipëria mposhti Hungarinë me rezultatin minimal falë një goli të Armando Brojës në minutat e fundit. Megjithatë një nga faktorët që i favorizon kuqezinjtë këtë herë është edhe mungesa e tifozëve në stadiumin ”ARENA PUSKAS” në Budapest. Kjo për shkak se kombëtarja hungareze u dënua nga UEFA për thirrjet raciste në ndeshjet e kaluara.
Aktualisht përfaqësuesja kuqezi ndodhet në vendin e dytë në grupin I , 1 pike më shumë se polakët e vendit të tretë. Kuqezinjtë ndeshen me Hungarinë në 9 tetor në orën 20:45 dhe 3 ditë më vonë presin Poloninë në Tiranë.