“Po gjykohet Kosova”, avokati i Thaçit: Në Hagë po tentohet të rishkruhet historia

2 Minuta Lexim

Pierre Prosper, avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka ngritur shqetësimin se në Hagë ka një tendencë për t’u rishikuar historia e Kosovës.

Në një intervistë për “Ekonomia Online”, teksa theksoi se mbrojtja ka humbur besimin në Prokurorinë e Speciales, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës, Bashkimit Evropian, shoqërisë civile dhe qytetarëve të Kosovës që ta monitorojnë punën e gjykatës.

“Teoria e prokurorisë se UÇK-ja është një organizatë kriminale është shumë problematike. Është problematike nga aspekti i realitetit se çka ka ndodhur. Është problematike edhe sepse kur flisni për këtë, atëherë, përtej kësaj teorie, ju po thoni se NATO-ja dhe bashkësia ndërkombëtare janë renditur, me vetëdije, me një organizatë kriminale. Dhe ky është një nga problemet që e kemi me këtë rast. Ne besojmë se kjo teori është e ekzagjeruar, e pasaktë dhe ka për qëllim të rivendosë dhe të korrigjojë historinë”, ka thënë Prosper.

Ai tha ndër të tjera se në Gjykatën Speciale është duke u gjykuar populli i Kosovës dhe jo individët e veçantë.

“Populli i Kosovës, shoqëria civile, Qeveria duhet ta trajtojnë këtë rast më me kujdes. Është një rast më shumë se sa kundër individëve. Në të vërtetë është një gjykim kundër një vendi, një gjykim kundër popullit të tij. Sepse, ajo çka po ndodh këtu është një tendencë për të shkruar një histori. Po ashtu, është një gjykim nga këto Dhoma dhe pjesëmarrësit e këtyre Dhomave rreth kapaciteteve dhe kualitetit të popullit të Kosovës. Unë mendoj se populli i Kosovës duhet të ketë pronësi në këtë proces. Populli duhet të jetë i përfshirë, duhet ta ketë fjalën e vet, sepse kjo do të përcaktojë të ardhmen dhe fatin e vendit”, tha Prosper.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull