Menaxhimi i mbetjeve, BB: Inceneratorët shqetësim, bien ndesh me parimet e BE-së

5 Minuta Lexim

Shqipëria mund të ketë hedhur hapa pas kur vuri fokusin e menaxhimit të mbetjeve në një alternativë si ajo e inceneratorëve që në piramidën e mënyrave më të preferuara për uljen e ndotjes dhe riciklimin në Bashkimin Europian ndodhet e fundit.

Banka Botërore ka sjellë edhe një herë në vëmendje këtë aspekt Memorandumin e ri Ekonomik të saj me Shqipërinë i titulluar “Forcimi i qëndrueshmërisë së Modelit të Rritjes së Shqipërisë”. Duke u ndalur në problematikën reale që hasin sektorë si turizmi dhe bujqësia nga ndotja dhe mbetjet Banka ka nënvizuar edhe shqetësimin që lidhet me inceneratorët.

“Ndërtimi i inceneratorëve të rinj paraqet gjithashtu shqetësime sa i takon pajtueshmërinë me acquis të BE-së për mbetjet, duke përfshirë parimin e hierarkisë së mbetjeve dhe objektivat e riciklimit” thuhet në raport.

I njëjti pranon se menaxhimi i mbetjeve është një prioritet për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit dhe bujqësisë, dhe se Shqipëria ka forcuar kuadrin ligjor duke e përafruar atë me acquis të BE-së, megjithatë zbatimi i legjislacionit duhet të forcohet.

“Shqipëria gjendet mes vendeve me përqindjen më të lartë të të keqmenaxhimit të rrjedhës së mbetjeve në Mesdhe me (73 për qind), pas Malit të Zi (95 për qind) dhe Egjiptit (93 për qind), e ndjekur nga Libia (64 për qind) Aktualisht, ekzistojnë disa instrumente ligjore dhe ekonomike për të rregulluar, financuar dhe stimuluar përpjekjet për menaxhimin e mbetjeve, duke përfshirë mbrojtjen e mjedisit detar. Strategjia e re kombëtare 2020–2035 për menaxhimin e integruar të mbetjeve synon të inkorporojë parimet e ekonomisë qarkulluese në sistemin kombëtar të menaxhimit të mbetjeve. Megjithatë, rreth 30 për qind e popullsisë nuk shërbehet nga infrastruktura e menaxhimit të mbetjeve, duke inkurajuar depozitimin e mbetjeve në vendgrumbullime apo vend depozitime të vjetra. Mbetjet shpesh hidhen ilegalisht në lumenj apo liqene – duke ndotur përfundimisht degët ujore dhe bregdetin e Shqipërisë” nënvizon BB.

Teksa në vend ka nisur sërish debati për qeset plastike duket se plastika në tërësi po kthehet në një shqetësim real për vendin.

“Mbetjet plastike në veçanti shkaktojnë dëme të konsiderueshme në perspektivat e ekonomisë blu të Shqipërisë si turizmi bregdetar dhe peshkimi. Deti Mesdhe ka ndër nivelet më të larta të ndotjes plastike të detit në botë, që përmban vetëm 1 përqind të ujërave të botës dhe 7 për qind e mikroplastikës globale, ku plastika është lloji më i zakonshëm i mbeturinave që gjendet në sipërfaqen dhe dyshemenë e tij. Çështja po bëhet gjithashtu një problem në rritje brenda detit Adriatik dhe Jon, siç tregohet nga disa studime të plazheve të kohëve të fundit që zbuluan se rreth 90 për qind e mbetjeve detare ishin të përbëra nga materiali plastik, me më shumë se gjysma e tyre me origjinë nga burimet bregdetare, duke përfshirë praktikat e dobëta të menaxhimit të mbetjeve, turizmin dhe aktivitetet rekreative, me nivele të ngjashme të gjetura në plazhet shqiptare” thuhet në raport.

Ky i fundit nënvizon se ka disa ndikime që mund të japin mbetjet detare tek bashkitë bregdetare të tilla si: (i) humbja e vlerës së komoditetit dhe kostot e drejtpërdrejta ekonomike nga rreziqet e shëndetit publik; (ii) mundësi të reduktuara rekreative; (iii) publiciteti dhe reputacioni negativ; dhe (iv) kostot që lidhen me pastrimin e plazhit dhe mbledhjen dhe depozitimin e mbetjeve. Me 60 për qind të popullsisë shqiptare që jeton në zonat bregdetare, efektet e ndërtimeve intensive, rritja e turizmit bregdetar dhe menaxhimi jo i përshtatshëm të mbetjeve mund të çojnë në një përkeqësim të cilësinë e mjedisit bregdetar dhe detar.

“Ndërsa ekonomia bregdetare shqiptare vazhdon të rritet, është jetike të gjenden mënyra për të reduktuar ndotjen plastike dhe të bëhet përmirësimi i sistemit të menaxhimit të mbetjeve të ngurta, të cilat mund të ndikojnë në performancën e sektorëve me bazë detare, si p.sh. turizmi, peshkimi dhe detaria, dhe shkaktojnë humbje të burimeve të vlefshme. Ndarja e mbetjeve në burim, skemat e rimbursimit të depozitimit, mbulim universal i grumbullimit të mbetjeve, shërbime të trajtimit të mbetjeve, rritje e monitorimit dhe më shumë nisma të pastrimit të ndotjes së mbetjeve janë të gjitha masat integrale për të reduktuar përfundimisht gjenerimin e mbetjeve në rrjedhën e sipërme, për të siguruar menaxhimin e mbetjeve në tokë dhe kalimin drejt një ekonomie qarkulluese” vlerëson Banka./Monitor

 

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull