Plas skandali/ Dalin në “shesh” llogaritë bankare sekrete në Zvicër, ka edhe nga Shqipëria

2 Minuta Lexim

Gazeta gjermane Süddeutsche Zeitung, ajo britanike The Guardian, por edhe të tjera, sapo kanë publikuar një scoop, për të cilin do flitet gjatë e shumë. Atyre u kanë rënë në dorë (apo më saktë, ato kanë shtënë në dorë) të dhënat bankare të 30 mijë klientëve të njërës prej bankave më të famshme të Zvicrës, Credit Suisse.

Dhe mes këtyre 30 mijë klientëve, llogaritë bankare të të cilëve janë në sirtarët e skrivanive të redaksive të këtyre gazetave, ka gangsterë, trafikantë, kontrabandistë, tutorë prostitutash, kriminelë e mbi të gjitha politikanë të korruptuar. Shuma e parave që disponojnë këta 30 mijë vetë është 8o miliardë euro, sa 6 GDP vjetore të Shqipërisë, gjë që të jep një ide mbi paranë e pistë që qarkullon në këtë botë. Dhe të mendosh se bëhet fjalë vetëm për një bankë, Credit Suisse. Në të gjitha bankat zvicerane së bashku janë depozituar më shumë se 6 trilionë euro, që është më shumë sesa GDP-ja e Gjermanisë dhe e Britanisë së Madhe të marra së bashku.

Nuk kanë dalë ende të dhëna konkrete (ato pritet të dalin), por gazeta The Guardian fliste “për një trafikant të qenieve humane në Filipine, për një drejtor burse në Hong Kong që është ndërkohë në burg për rushfete, për një miliarder që ka urdhëruar vrasjen e të dashurës së tij (një këngëtare pop-i nga Libani), për një grup njerëzish që kanë vjedhur e plaçkitur një kompani publike nafte në Venezuelë, dhe për politikanë të korruptuar nga Ukraina në Egjipt”.

Gazetarët, me sa duket, do të kenë punë në orët e ditët e ardhshme. Ndoshta edhe ne gazetarët shqiptarë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull