Dita e Gjuhës Amtare/ Agjencia për zbatimin e gjuhës në MV bën bashkë gjuhëtarë e studiues të shqipes

5 Minuta Lexim

Sot u kremtua Dita ndërkombëtare e gjuhës amtare. Katedra të gjuhës shqipe dhe institucione që merren me çështje të gjuhës në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut organizuan takime për të rivlerësuar dobinë e jashtëzakonshme të përdorimit të gjuhës amtare si dhe për të trajtuar disa çështje me rëndësi që lidhen me përdorimin e drejtë të shqipes.

Për të dytin vit radhazi, Dita ndërkombetare e gjuhës amtare u parkujtua me një aktivitet të veçantë edhe nga Agjencia për mbrojtjen e gjuhës në Maqedoninë e Veriut. Të pranishëm në takim ishin përfaqësues të lartë të shtetit, si dhe profesorë nga katedra të ndryshme të gjuhës në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut.

Në fjalën e tij përshëndetëse, prof. dr. Ylber Sela, drejtor i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës në Maqedoninë e Veriut, theksoi se: Sigurimi i kushteve për edukimin dhe shprehjen e gjuhës amtare në një mjedis demokratik duhet të jetë gjithmonë në interes të aktorëve shoqërorë, ndërsa sigurimi i respektimit të veçantisë gjuhësore të të gjitha etnive dhe gjuhëve të tyre duhet të jetë një nga prioritetet gjatë zbatimit të politikave gjuhësore. Gjuha amtare dhe përdorimi pa probleme i saj, është e drejtë themelore e çdo individi dhe pjekuria demokratike e një shteti,  shihet në mënyrën dhe shkallën e realizimit të kësaj të drejte të garantuar me akte të shumta ndërkombëtare.

Profesorët e tjerë të pranishëm e vunë theksin te ruajtja e gjuhës amtare dhe te përdorimi i saktë i saj.

Xheladin Murati, ekspert i arsimit në RMV u shpreh se: se edhe pse kemi Ligj për përdorimin e gjuhës shqipe, sërish gjuha shqipe nuk është zyrtare dhe se përdorimi i të njëjtës në rrugë zyrtare, bëhet “sipas qejfit”.

“Gjuha shqipe nuk është gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Gjuha shqipe është në përdorim zyrtar sipas qejfit – kush do e përdor. Gjuha shqipe nuk ekziston në Kushtetutën e RMV-së, ekziston si gjuhë e 20%. Së treti shqiptarët nuk janë popull shtet formues të shtetit të Maqedonisë, status, i cili e zgjedh edhe çështjen e gjuhës. Koncepti i përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe nuk është i përsosur sepse nenet përbërëse të ligjit janë të papërsosura dhe jo koncize”, tha Murati.

Zv. Ministri i Arsimit në RMV, Lulzim Aliu apeloi që Agjencia dhe Inspektorati të bëjnë me përpikëri punën e tyre.

“Mendimi im ka qenë gjithmonë se gjuha shqipe është avancuar në masë të madhe, por nuk është bërë zyrtare në nivel të shtetit. Apeli im është që çdo institucion të përmbushë detyrat dhe obligimet që i ka. Edhe Agjencia edhe Inspektorati, por edhe çdo institucione  që është I detyruar për të zbatuar përdorimin e gjuhës shqipe”, theksoi Lulzim Aliu- zv.ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Begzad Baliu, nga Universiteti i Prishtinës   vleresoi punën e gjuhëtarëve për ndërmarrjen e veprave madhore për gjuhën shqipe, duke e vënë theksin edhe te një bashkërendim të punëve me të gjitha katedrat dhe institucionet e gjuhës shqipe në Kosovë, Shqipëri e Maqedoninë e Veriut.

Ndërsa Manjola Zaçellari, pedagoge e gjuhës shqipe në Universitetin e Durrësit u shpreh se: “Ka ardhur koha që të gjitha gjuhëve rajonale t’u jepet statusi i gjuhëve kombëtare, çka do të sjellë si rrjedhojë kalimin e folësve nga periferitë gjuhësore në rrjedhën kryesore. Nëse duam të fuqizojmë të ardhmen e fëmijëve tanë, duhet t’u japim atyre mundësinë të komunikojnë në gjuhën e tyre amtare, në mënyrë që të mos ndihen të privuar nga kjo e drejtë universale, e drejta për të përdorur gjuhën e zemrës”, tha ajo.

Sejdi Gashi, studiues nga Instituti Albanologjik i Prishtinës vuri theksin te disa probleme të përdorimit jo të drejtë të gjuhës shqipe nga politikanët e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, duke bërë thirrje për një kujdes të shtuar për përdorim të saktë të shqipes.

Ajtene Hajdari-Qamili, nga universiteti Shën Kirili dhe Metodi u shpreh se duhet bërë më tëpër për gjuhën amtare, në mënyrë që edhe gjuha shqipe të ketë statusin e merituar.

Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare (International Mother Language Day) është një ditë ndërkombëtare ceremoniale e shpallur nga UNESCO në vitin 1999. Si e tillë, ajo festohet më 21 shkurt të çdo viti. Qëllimi i saj është promovimi dhe ndërgjegjësimi për diversitetin gjuhësor dhe kulturor si dhe promovimin e shumëgjuhësisë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull