Nga Dr. Manjola Lumani ZAÇELLARI-
Nëse i flisni dikujt në gjuhën që ai kupton, prekni mendimet e tij. Nëse i flisni në gjuhën amtare, i prekni zemrën.
Kjo është fuqia e gjuhës amtare dhe me siguri edhe studentët e universitetit Dhaka, me origjinë nga Bengali, këtë patën parasysh kur u konfrontuan me policinë pakistaneze për të mbrojtur gjuhën e tyre bengaleze si gjuhë zyrtare.
21 shkurti, Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, na bën të reflektojmë mbi rëndësinë që ka respektimi i të drejtave gjuhësore në tërësi dhe i marrëdhënieve me gjuhët e popullsive të tjera. Në fakt, gjuha, para se të jetë një e drejtë ligjore është një e drejtë natyrore. Gjuha është vetë qenia njerëzore, sepse siç thotë Heidegeri gjuha nxjerr në pah qenien.
Kjo është edhe arsyeja pse shume organizata botërore në mbrojtje të arsimit po mbështesin Fushatën Ndërkombëtare të Ditës së Gjuhës amtare, një program i OKB-së i fokusuar në zbatimin e mësimit shumëgjuhësh. Kjo nismë është pjesë e Fushatës Globale për Arsimin për të siguruar edukimin në gjuhën amtare për të gjithë nxënësit. Fushata gjithashtu, i konsideron qeveritë përgjegjëse për përmirësimin e politikave të gjuhës amtare në shkolla. Megjithatë, synimeve të kësaj nisme për ruajtjen e gjuhës amtare, qeveritë e vendeve të zhvilluara nuk i janë përgjigjur gjithnjë pozitivisht, për faktin se në shumë raste, ka mungesë të mësimdhënësve të aftë për të dhënë mësim në gjuhët e minoriteteve, edhe pse studimet në fushë kanë vërtetuar se politikat gjuhësore ulin përqindjet e braktisjes së shkollës dhe nxisin arritjet akademike.
Referuar statistikave të UNESCO-s (2016), 40% e fëmijëve të moshës shkollore në botë nuk kanë akses në arsim në gjuhën që flasin ose kuptojnë më mirë. Kjo jo vetëm që pengon aksesin në trashëgiminë dhe kulturën e vendit të tyre, por gjithashtu mund të ketë pasoja negative për zhvillimin e tyre gjuhësor dhe njohës.
Studimet tregojnë se njohja e gjuhës amtare bën të mundur që të kuptohet më mirë dhe më thellë një kurrikul e caktuar. Po ashtu, nxënësit priren që të kenë një qëndrim më pozitiv ndaj shkollës, prandaj është me rëndësi të madhe që fëmijët të flasin gjuhën e tyre amtare para se të fillojnë shkollimin në një gjuhë tjetër.
Përveçse i bën fëmijët të braktisin shkollën, përdorimi i gjuhëve të panjohura në institucionet arsimore mund të shkatërrojë shanset e shumë fëmijëve në provime. Fëmijët që jetojnë në zona të varfra rurale janë shpesh më të prekurit. Ka dëshmi se kur fëmijëve u mohohet arsimi për shkak të gjuhës që ata flasin, kjo i bën ata më konfliktualë.
Në të njëjtën kohë, ka një presion të madh mbi qeveritë, veçanërisht në vendet në zhvillim, për t’iu mundësuar të gjithë nxënësve përdorimin e gjuhëve ndërkombëtare për tregun global. Shumë qeveri në fakt, janë me parimin e përdorimit të vetëm një gjuhë kombëtare dhe shqetësohen se inkurajimi i gjuhëve të ndryshme lokale mund të shpërbëjë kombin.
Ata mendojnë se nëse fëmijët nuk kanë qasje në gjuhët kombëtare ose ndërkombëtare në shtëpi, sigurisht, të mësuarit e tyre do të bëhet përmes shkollës. Por nëse përdorimi i vetëm një gjuhe për të mësuar nuk funksionon për shumë fëmijë, sa para po shpenzohen për shkollat që janë të destinuara të dështojnë?
Në raste të tjera, përdoret një lloj edukimi shumëgjuhësh që fillon së pari me mësimin e gjuhës amtare e më pas bëhet gradualisht prezantimi edhe i gjuhëve të tjera (përgjithësisht në 6 vitet e para të arsimimit të fëmijës). Edhe pse kjo lloj qasjeje ofron një zgjidhje, nuk është gjithnjë e thjeshtë të shkohet drejt kësaj metode të mësimdhënies, pasi siç u shprehëm shumë mësues nuk zotërojnë aftësi për t’iu mësuar nxënësve një gjuhë të dytë.
Atëherë, ç’duhet bërë në këto kushte?
Raporti i Monitorimit Global të Arsimit për të Gjithë tregon se mësimdhënia në një gjuhë të panjohur kombinohet edhe me barriera të tjera siç është varfëria, çka privon shumë fëmijë për të marrë arsim cilësor, si një e drejtë që ata e gëzojnë të plotë.
Megjithë rëndësinë e çështjes, problemet e gjuhës amtare duket se nuk po zgjidhen në masë të gjerë. Më së shumti, ka projekte, por me ndikim lokal, në një kohë kur kërkesa është për zgjidhje globale, të menjëhershme dhe të qëndrueshme.
Prandaj është e rëndësishme që qeveritë dhe të gjithë ne që kemi misionin e ruajtjes së gjuhës amtare të trajtojmë e t’u japim zgjidhjen e duhur çështjeve të mëposhtme, me qëllim që 221 milionë fëmijët kanë braktisur shkollën të arrijnë të gëzojnë një të drejtë themelore: të drejtën për arsim.
Këto çështje janë:
- Si mund të mbështeten mësuesit e arsimit fillor që të fitojnë aftësi për të dhënë mësim edhe në një gjuhë të dytë?
- Si mund të garantohen prindërit që mësimidhënia në gjuhën amtare dhe më pas në një gjuhë të dytë mund të funksionojë? Cilat janë hapat që duhet të ndërmarrin qeveritë për t’ua garantuar prindërve këtë gjë?
- Si mund të binden qeveritarët që të adoptojnë qasjen e mësimdhënies në gjuhën amtare, pa u shqetësuar se kjo mund të sjellë përçarje kombëtare?
- Si mund të përditësohet trajnimi i mësuesve për t’i ndihmuar ata t’u mësojnë fëmijëve me sukses gjuhët e dyta?
- Çfarë duhet të bëjnë agjencitë donatore për të adresuar këto sfida? Ç’lloj financimi duhet të ofrojnë donatorët për gjuhën dhe arsimin?
Është e kuptueshme që adresimi i drejtë i këtyre çështjeve përveç se kërkon politika të posaçme, kohë dhe përgjigje globale, kërkon sidomos njerëz që e kuptojnë rëndësinë e jashtëzakonshme të përdorimit të gjuhës amtare, sepse:
Gjuha amtare lehtëson mësimin e gjuhëve të tjera.
Zhvillon identitetin personal, social dhe kulturor të fëmijës.
Ndihmon një fëmijë të zhvillojë të menduarit kritik dhe aftësitë e shkrim-leximit.
Ndihmon fëmijët që ta përvetësojnë më mirë kurrikulën.
Fëmijët që mësojnë në gjuhën amtare e shijojnë më shumë shkollën dhe mësojnë më shpejt, për shkak se ndihen mirë në mjedisin e tyre.
Vetëvlerësimi është më i lartë te fëmijët që mësojnë në gjuhën amtare.
Ndërveprimi i prindërve me fëmijën rritet, pasi prindi mund ta ndihmojë me detyrat e shtëpisë.
Studimet tregojnë se fëmijët që përfitojnë nga të mësuarit përmes shumëgjuhësisë gëzojnë një status më të lartë socio-ekonomik.
Ndaj, respektimi i të drejtës gjuhësore, duhet të promovohet e të mbështetet me politika afatgjata.
Ka ardhur koha që të gjitha gjuhëve rajonale t’u jepet statusi i gjuhëve kombëtare, çka do të sjellë si rrjedhojë kalimin e folësve nga periferitë gjuhësore në rrjedhën kryesore. Nëse duam të fuqizojmë të ardhmen e fëmijëve tanë, duhet t’iu japim atyre mundësinë të komunikojnë në gjuhën e tyre amtare, në mënyrë që të mos ndihen të privuar nga kjo e drejtë universale, e drejta për të përdorur gjuhën e zemrës.
*Fjalim i mbajtur në Diten Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, Agjencia për zbatimin e gjuhës, Maqedoni e Veriut
Arberianews.net