Nga Xhovan SHYTI * –
Pasi fillimin e kësaj jave anija “Slavianka”, që lundron nën flamurin e Rusisë, mbriti në portin e Durrësit, duke sjellë 3030 ton grurë, sasi kjo e blerë nga kompania “Miell Tirana,” lider në tregun e drithrave dhe miellit cilësor, së bashku me lajmin panikues se kjo mund të jetë ngarkesa e fundit, “Arberia News” kontaktoi me titullarin e kompanisë, Roland Hysa, ku ndër të tjera e pyeti për vërtetësinë e qënies së 3030 tonëve grurë, ngarkesa e fundit. Por edhe ç’ndikim do të ketë lufta ruso-ukrainase dhe kriza e grurit, në tregun shqiptar?
Sepse, referuar të dhenave të INSTAT gjatë vitit 2021 nga Rusia ka mbritur në vendin tonë 46% e totalit të drithërave të importuar, ndërsa 4% erdhën nga Ukraina. Me 4.98% të totalit të shkëmbimeve tregtare, drithërat janë produkti kryesor që importojmë nga Rusia. Lufta e shpallur nga presidenti Putin dhe kthimi i Ukrainës në shesh beteje i ka mbyllur të gjitha rrugët e komunikimit ndershtetas, duke mbjellë krahas të tjerave dhe krizën e importimit të grurit që kompania“Miell Tirana”sjell për tregun shqiptar. Në këtë situatë a duhet të ketë vend për panik mbarëqytetarë për një krizë mielli, që do të sillte mosfurnizimin me bukë e prodhime të tjera brumi me bazë miellin?
Presidenti i kompanisë “Miell Tirana”, Roland Hysa, dha këtë përgjigje:
Në foto: Presidenti Roland Hysa.
“Lufta Rusi- Ukrainë është realitet, sikurse është realitet se për shkak të kësaj lufte rruga e importit të grurit nga këto dy vënde nuk mund të vazhdojë. Ju më pyetët nëse ngarkesa me 3030 tonë grurë e mbritur ditë parë në Durrëse me anijen “Slavianka” është e fundit dhe unë po pohoj: në kushtet e bllokimit të rrugëve hyrëse dalëse nga Rusia e Ukraina po. Sasia 3030 tonëshe është ngarkesa e fundit e ardhur nga këto dy vënde dhe do vijoj të jetë e tillë përsa kohë do të vazhdojë lufta. Megjithatë kjo nuk do të thotë se edhe tregu ynë do të ndjekë krizën e luftës. Kompania që unë përfaqësoj ka importuar sistematikisht grurë si nga Rusia ashtu dhe nga Ukraina. Ju përmendët të dhenat e ofruara nga INSTAT dhe unë i konfirmoj ato. Veçse do të shtoja se përveç këtij tregu ne kemi importuar edhe nga vënde të tjera, ndërsa kemi refuzuar kategorikisht futjen në tregun shqiptar të grurit serb të destinuar për kafshët. A ka vend për panik? Aspak, do të thosha unë dhe jo për propagandë por sepse realisht kompania “Miell Tirana” ka gjëndje sasi të tillë gruri me të cilin për tre katër muaj furnizimi me miell i enteve prodhuese të bukës etj. asortimenteve të brumerisë është i garantuar. E përsëris për ta theksuar: Nuk ka vend për panik as tani e as pas tre katër muajve, kur edhe nëse lufta nuk do të ketë përfunduar (lus që kjo të ndodhë sa më shpejtë), ne do të kemi siguruar burime të tjera furnizimi. Në Bullgari, në Rumani, në Kanada, Francë etj. Duhet të keni parasysh se ne jemi gjithmonë në kërkim të alternativave që na garantojnë vazhdimësinë e aktivitetit. I vetmi problem që mbetet në fuqi është rritja e çmimit të grurit, që vetëm pak orë pas shpërthimit të luftës u ngrit në 6.4%. Kjo sjell pasojë rritjen e detyruar të çmimit të prodhimeve me bazë miellin, ku ndër më të ndjeshmet është ai i bukës. Gjë që mund të mos ndodhë nëse qeveria ofron kompesim, të paktën për shtresat në nevojë. Për të përfunduar po përsëris: Lufta do të ketë ndikim në prodhimin e ardhshëm, pasi gruri është në fazat e para të rritjes dhe korrjet e reja janë në korrik, por shqiptarët nuk do të mbetet pa furnizime. Jemi në fazë intensive të ndryshimit të burimeve të furnizimit për të garantuar vazhdimësinë dhe shmangur një krizë të mundëshme. Ndoshta ka ardhur koha ti kthejmë sytë nga politika e sigurimit të grurit në hapsirën shqiptare, pasi natyra na e ofron një mundësi të tillë për sigurimin e bukës në vend ”, shprehet Roland Hysa, president i kompanisë“Miell Tirana”.
Theksojmë se si pasojë e luftës, portet ruse dhe ukrainase në Detin e Zi, janë të mbyllura edhe sot. Një terminal rus, Novorossiysk, mbetet funksional, por me rritjen e sanksioneve ndërkombëtare ka të ngjarë që të dërgojë vetëm vëllime të kontraktuara më parë, me pak shpresa për të rezervuar shitje të reja.
*Kryeredaktor i Arberia News.net