ZGJOHEN SHQIPTARËT/ SHPËRTHEJNË PROTESTAT NË TIRANË E DURRËS

3 Minuta Lexim

Rritja e tepruar çmimeve të karburantit, gazit etj., si dhe indiferenca e cinizmi me të cilin e ka përcjellë ditët e fundit kryeministri Edi Rasma këtë cënim të rendë të mirëqënies social-ekonomike të shqiptarëve ka bërë që pas shkodranëve të ngrihen në protestë edhe qytetarët e Tiranës dhe Durrësit.

Mijëra qytetarë janë mbledhur mbasditen e sotme para Kryeministrisë për të protestuar për të drejtat e tyre. Ata kanë kërkuar ndryshimin e sistemit ekonomik, pasi prodhon vetëm rritje çmimesh, ndërsa kanë theksuar se taksat duhet të ulen urgjentisht.

Deklaratat e papërgjegjëshme të kryeministrit Edi Rama dhe ato të ministres Belinda Balluku, e cila ka këshilluar qytetarët që të ecin në këmbë, pra mos përdorin makinat, apo Kryeministrit i cili ka sugjeruar shtrëngimin e dhëmbëve dhe përballimin me dinjitet të krizës, duket se kanë irrituar shqiptarët.

Njëzeri protestuesit e etiketua, kryeministrin Edi Rama  “lideri i ballkazanit” që pasi fut në panik qytetarët largohet drejt Dubait me charter

Profesori Ervin Goci, ishte një nga folësit në protestën qytetare që po organizohet përpara godinës së Kryeministrisë, kundër rritjes së çmimeve.

Goci ka kërkuar dorëheqjen e Belinda Ballukut nga posti i ministres së Energjitikës dhe Infrastrukturës pas deklaratave të turpshme që ajo bëri një ditë më parë duke këshilluar qytetarët që të mos përdorin makinat edhe kur blenë një paketë cigare apo një bukë.

Goci tha se Qeveria duhet të ndërhyjë, pasi është detyrë e saj për të mbrojtur qytetarët, në të kundërt nuk ka pse të na duhet një qeveri e tillë.

“Të gjithë bashkë ne mund ta rrëzojmë këtë regjim, ndaj nesër sërisht në orën 17:00 të mblidhemi dhe të protestojmë”, tha Ervin Goci.

Ndërkohë, edhe qytetarët e Durrësit kanë dalë në protestë. Ata kanë fikur makinat e tyre duke bllokuar qarkullimin në të gjithë qytetin.

Protesta në Tiranë dhe në Durrës janë mbajtur në një kohë kur në pikat me pakicë të tregtimit të karburanteve, çmimi i naftës u tregtua me 275 lekë për litër, ndërkohë që Edi Rama paralajmëron rritje në vazhdim, për shkak të luftës në Ukrainë.

Qytetarët paralajmëruan përshkallëzim të protestave, nëse qeveria nuk ndërhyn me urgjencë duke ulur taksat për litër karburant.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull