Efekti i protestave/ Nafta zbret nën 200 lekë për litër, Rama: Nga sot do të ngrijë marzhi i fitimit të kompanive

2 Minuta Lexim

Pas protestave pothuajse njëjavore në të gjithë vendin, për uljen e çmimit të naftës dhe karburanteve të tjera, reflektimi në treg ka ardhur.

Gjatë ditës së sotme nafta në shumicën e karburanteve ka zbritur poshtë çmimit 200 lekë për litër, ndërkohë që kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale, thotë se do të nisë nga puna Bordi Kombëtar për Administrimin e Karburanteve.

Sipas Ramës fitimi i kompanive që merren me furnizimin me karburante do të ngrijë, ndërkohë që çmimi do të bëhet transparent për të gjithë qytetarët.

Kryeministri paralajmëroi dje se çdo pikë karburanti që tregton me një çmim më të lartë se ai që është miratuar nga bordi, do të sekuestrohet dhe se biznesi do të kalojë nën administrimin e shtetit.

Postimi i Ramës:

MIRËMËNGJES, dhe me konfirmimin se nga sot, me ngritjen e Bordit Kombëtar të Administrimit të Karburantit, çmimet do të kalojnë në filtrin e transparencës dhe marzhi i fitimit të kompanive do të ngrijë, për të mos lejuar asnjë abuzim në kurriz të qytetarëve, ju uroj një fundjavë të mbarë.

Kjo lëvizje e qeverisë, vjen në mesin e një vale protestash që kanë nisur në të gjithë vendin, dhe që pritet të kulmojnë gjatë ditës së sotme në Tiranë.

Aktivistë dhe qytetarë, pritet të marshojnë sot duke nisur nga ora 11:00 nga sheshi Skënderbej drejt kryeministrisë, me kërkesat që tashmë dihen për uljen e çmimit të karburanteve dhe jo vetëm.

Gjatë ditës së djeshme, Rama akuzoi se kjo protestë po drejtohet nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, gjë e cila është kundërshtuar hapur nga disa prej zërave kryesorë të protestës.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull