Kryeministri Edi Rama është kthyer nga Turqia mbrëmë dhe menjëherë sot ka mbledhur qeverinë një orë përpara nisjes së protestës kombëtare kundër rritjes së çmimeve.
Kryeministri Rama reagoi pak minuta para protestës së madhe të njoftuar se ka bërë gati paketën e rezistencës sociale për të përballuar pasojat e krizës së çmimeve.
Përmes një postimi në Facebook, të shoqëruar me foto nga mbledhja e qeverisë, kryeministri shprehet se janë në përfundim të punës për këtë paketë, të cilën do ta shpalosin në ditët në vijim.
“Kryeministria – Paketa e Rezistencës Sociale ndaj pasojave të krizës globale energjetike si edhe të luftës në Ukrainë mbi çmimet po merr formë përfundimtare“, shkruan Rama në Facebook.
Kryeministri mësohet se do të dalë në një konferencë për mediat për prezantimin e paketës.