Shfrytëzimi politik i pandemisë nisi me Kryeministrin që u përpoq të merrte rolin e babait të kombit, gjatë karantinës dhe arriti kulmin me fushatën e vaksinimit që u përdor 100% në funksion të fushatës elektorale të partisë që drejton… Makutëria e mjekëve nuk ishte asgjë në krahasim me makutërinë dhe kusarinë e qeveritarëve. KLSH sapo ka zbuluar abuzime të tipit: tendera me objekt të fshehur, tendera me një konkurrent, blerje të drejtpërdrejta, keqpërdorim i fondeve…
Nga Erion DASHO * –
Kur deklarova në Mars 2020 se në Shqipëri numri i vdekjeve nga COVID-i në rastin më të keq të mundshëm mund të shkonte mbi 12 mijë, shumë komentues e quajtën këtë shifër ndjellëse paniku. Kur kolegu Alban Ylli deklaroi se kjo shifër mund të arrinte deri 18 mijë e quajtën shërbëtor të Qeverisë dhe Ministrisë.
Sot Instituti për Statistika dhe Vlerësime në Shëndetësi publikon në revistën prestigjioze “The Lancet” se numri i vlerësuar i vdekjeve nga COVID-i në Shqipëri luhatet midis 16,500 dhe 18,100.
Një tragjedi e vërtetë që shkaktoi një pasojë që as lufta nuk e kishte arritur: Dy vjet rresht Shqipëria ka patur ulje natyrore të popullatës (të palidhur me emigracionin).
Po si u arrit deri në këtë pikë? Cilat ishin gabimet që bënë qeveria shqiptare dhe ministria e shëndetësisë në këto dy vjet?
1. Qeveria dhe Ministria treguan një paaftësi totale në drejtim dhe organizim.
Pavarësisht se e kishin parë se çfarë ndodhi në Wuhan dhe Lombardi, autoritetet shqiptare as nuk mobilizuan burimet spitalore (spitalet rajonalë u lanë të patrajnuar dhe u futën shumë vonë në lojë), as edhe mundësi teknologjike siç ishte Programi i Telemjeksisë i cili funksionon në Shqipëri prej vitit 2009.
2. Paaftësia për të krijuar qoftë edhe një panel ekspertësh.
Komiteti famëkeq i të paaftëve drejtohet nga një mjeke e nderuar në profesionin e vet, por e paaftë si politikëbërëse dhe komplet jashtë fushës së vet të kompetencës. Ndërkohë në Komitet mungonin specialistë si virologë, imunologë dhe epidemiologu, aq i nevojshëm, u shtua vetëm pasi vala më e rëndë e pandemisë kishte kaluar.
3. Mendjengushtësia e Qeverisë dhe Ministrisë mbeti deri në fund proverbiale.
Ata refuzuan çdo mendim shkencor vendas dhe të huaj (si ekspertë të huaj ashtu edhe ekspertë shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë vendit). Fatkeqësisht, ky mentalitet u shtri edhe tek pjesa dërrmuese e kolegëve klinicistë të cilët me një ego të sëmurë profesionale refuzuan të pranonin ndihmën e kolegëve jashtë vendit lidhur me protokollet, skemat e mjekimit, skemat e ndjekjes, etj.
4. Gjatë pandemisë u ekspozua frikshëm makutëria dhe ai që duhet korrupsion i bluzave të bardha. Tirja ishte vetëm maja e ajsbergut. Fatkeqësisht, kolegë të cilët nuk e meritojnë të quhen “mjekë” arritën deri sa të merrnin 2 apo 3 mijë euro rryshfet për pacientët që referonin për trajtime jashtë vendit. Por përsëri, makutëria e mjekëve nuk ishte asgjë në krahasim me makutërinë dhe kusarinë e qeveritarëve. Kontrolli i Shtetit sapo ka zbuluar abuzime të tipit: tendera me objekt të fshehur, tendera me një konkurrent, blerje të drejtpërdrejta, keqpërdorim i fondeve duke përdorur fondet e pandemisë për të bërë qoka (siç ishte pagesa e borxheve të prapambetura), etj.
5. Gjatë pandemisë sistemi shëndetësor doli zbuluar.
Mjekët terciarë nuk arritën të krijonin kaskadën trajnuese për të aftësuar kolegët në spitalet rajonale dhe qendrat shëndetësore. Madje edhe ata nxorrën zbuluar edhe paaftësinë e vet profesionale. Shkalla e vdekshmërisë reanimatore ishte e frikshme, kurse nga personat e intubuar pothuajse askush nuk doli i gjallë prej spitaleve të “rilindur”.
6. Mungesa e fleksibilitetit dhe aftësisë për të mësuar nga situata në Shqipëri dhe botë ishte ekstreme. Ndonëse që në fillim të pandemisë u bë thirrje për të furnizuar mjekët e familjes me puls oksimetër dhe spitalet me aparate CPAP dhe BiPAP (personalisht kam nisur të bëj thirrje për këtë në prill ose maj 2020), kjo masë kurrë nuk u realizua. Për të mos thënë që shumë pacientë blenë me paratë e tyre aparate disa mijëra dollarëshe për familjarët e shtruar.
7. Mungesa e financimeve.
Shqipëria ka një ndër shkallët më të ulta në Europë të financimeve për shëndetësinë. Deri tani janë shpenzuar fonde për të lyer spitale dhe qendra shëndetësore por asnjë ndryshim thelbësor nuk ka ndodhur. Shëndetësia nuk përgatitet në një ditë për t’u përballuar me një pandemi. Ky është një proces i gjatë dhe gradual.
8. Shfrytëzimi politik i pandemisë.
Nisi me kryeministrin që u përpoq të merrte rolin e babait të kombit gjatë karantinës dhe arriti kulmin me fushatën e vaksinimit që u përdor 100% në funksion të fushatës elektorale të partisë në pushtet.
Pandemia po largohet, të paktën vala aktuale. Numri i të shtruarve në spitale ka rënë, po ashtu edhe numri i vdekjeve, por mësimet nga pandemia duhen analizuar me kujdes për të mos u përsëritur…
* Autori shërben në Kompaninë “Partner”, si Drejtor për Shëndetin Dixhital dhe Inovacionet, në Frankfurt të Gjermanisë.