Nga Albano ZHAPAJ-
Më bëri përshtypje një postim i faqes zyrtare të Ambasadës Amerikane në Tiranë, ku njoftohet se Edi Rama dhe Yuri Kim kanë firmosur një marrëveshje bashkëpunimi midis Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe Univeristetit të Miçiganit në SHBA, për hapjen e një programi master.
Duke anashkaluar pjesën propagandistike të shkrimit, e cila konsideron këtë marrëveshje si një akt simbolik festiv në kuadër të 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri, shikoj me shumë dyshim pjesën tekniko-ligjore; dmth sesi një kryeministër dhe një ambasadore mund të firmosin një marrëveshje ndër-universitare dhe të hapin një master të përbashkët për llogari të tyre.
Ligji shqiptar i arsimit të lartë nr. 80/2015, ashtu si edhe ligjet e mëparshme të arsimit të lartë, përcaktojnë qartësisht se marrëveshjet mes universiteteve shqiptare dhe universiteteve të huaja, janë kompetencë e vetë universiteteve.
Ligji nuk përcakton askund që rektori i universitetit mund të delegojë firmën personave apo instancave jashtë universitare.
Nga ana tjetër, nuk më rezulton që universitetet amerikane të marrin leje nga instancat qeveritare, ose ti delegojnë ato, për të bërë marrëveshje me universitete jashtë vendit të tyre, e për më tepër hapjen e programeve të përbashkëta.
Jam kurioz të di se mbi çfarë baze ligjore kryeministri dhe ambasadorja mund të kenë marrë rolin e firmëtarëve të një programi të përbashkët Master Profesional, dhe më tej akoma jam kurioz të di se si ky master do të marrë kuptim në aspektin ligjor, nëse nuk është firmosur nga dy rektorët përkatës.
Nga sa lexoj, ky master Rama-Kim do funksionojë për 12 studentë afganë. Nuk lexoj ndonjë rresht që të flasë për interesin e Universitetit Bujqësor, apo studentëve shqiptarë në të, që të mund edhe ta kuptoj si akt festimi për 100 vjetorin e marrëdhënieve tona.
Dakord, qeveritë mund të bëhen shtysë, mund të bëhen mbështetje, mund edhe të finacojnë programe, por s’kanë kompetenca ligjore direkte për hapje programesh.
Këtë të drejtë edhe vetë rektorët e universiteteve e ushtrojnë mbasi kanë marrë miratimin e senateve përkatës akademik, dhe bordeve të administrimit.
Prandaj miq të Ambasadës Amerikane që keni hartuar postimin, ndjesë që nuk arrij ta shikoj dot si jotallje këtë postim tuajin.
Do sforcoheshim pak që talljen jua pranojmë edhe pse me kripë, ama kujdesuni që edhe kripa të jetë ca me karar!
P.S. Jo për gjë, por duket më tepër si një mënyrë për të pajisur me viza afganët që Departamenti i Shtetit u ka refuzuar azilin politik, sesa ngrënia e merakut për studentët e UBT!
_____