Talebanët kanë vendosur rregulla strikte dhe ekstreme në Afganistan, që prej marrjes së kontrollit të vendit në gusht të vitit 2021.
Pasojat më të rënda i kanë vuajtur vajzat dhe gratë, të cilat janë përjashtuar thuajse plotësisht nga jeta sociale. Së fundmi talebanët kanë vendosur që të ndalojnë shkollimin e vajzave përtej klasës së 6-të.
Pavarësisht një vendimi të mëparshëm, ministria e arsimit e talibanëve njoftoi se të gjitha shkollat do të mbeten të mbyllura për vajzat përtej klasës së gjashtë deri në njoftimin e mëtejshëm, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve Bakhtar.
Ndërkohë, do të dizajnohet dhe një uniformë specifike shkolle për vajza, bazuar në ligjin e Sheriatit, kulturën dhe traditën afgane.
Nxënëset që prisnin me padurim rifillimin e mësimeve që nga kthimi i talibanëve në pushtet, u zhgënjyen kur u paraqitën për mësim të mërkurën, më 23 mars. Shumë prej tyre u kthyen në shtëpi me sy të përlotur, ndërsa vendimi tashmë ka ngjallur reagime të gjera.
Të martën, zëdhënësi i ministrisë së arsimit të talibanëve, Aziz Ahmad Royan tha se shkollat do të rihapen për vajzat, por në kushte specifike si ndarja e ndërtesave të shkollave, respektimi i mbulimit të fytyrës me mbulesë dhe mësimi nga mësueset gra.
Në shoqërinë tradicionale afgane, djemtë dhe vajzat tashmë po ndiqnin klasa të veçanta dhe të gjitha nxënëset vajza dhe mësueset duhet të mbajnë mbulesë.