Çfarë të mësojmë nga vendet më të shëndetshme në botë për vitin 2022

7 Minuta Lexim

Nga ushqimi i pastër e deri te regjimi rigoroz i fitnesit, këtë vit do të duhet të bëjmë përmirësime jo vetëm në shëndetin tonë fizik, por edhe në atë mendor e shpirtëror.

Në vitin 2022, shëndeti ynë mbetet në fokusin qendror për shkak të pandemisë globale. Teksa izolimet dhe kufizimet e tjera janë lehtësuar, ne vazhdojmë t’i kushtojmë rëndësi më të madhe kujdesit për veten, krahasuar me sa kemi bërë më parë.

Meditimi, teknikat e vetëdijësimit dhe joga kanë pasur një rritje të madhe të popullaritetit vitet e fundit. Teksa ne vazhdojmë të kuptojmë më mirë lidhjen mes mendjes dhe trupit, si dhe të mënyrës se si ato ndikojnë njëra-tjetrën, po fillojmë t’i përfshijmë ato gjithmonë e më tepër në rutinën tonë të përditshme.

Natyrisht, megjithëse ne të gjithë jemi përgjegjës për t’u kujdesur për veten, mundësitë për të mbështetur shëndetin dhe mirëqenien tonë janë të kufizuara. Qeveritë në mbarë botën duhet të marrin përgjegjësinë për të bërë të mundur që vendet tona të jenë të sigurta dhe të shëndetshme për të jetuar.

Për çështje të tilla si ndotja, cilësia e ushqimit dhe ekuilibri punë-jetë, që luajnë rol mjaft të rëndësishëm, përgjegjësia u takon qeverive për të ndërmarrë hapa që do të përmirësonin gjendjen aktuale. Japonia po rezulton të jetë një shembull i mirë për të gjitha shtetet e tjera, pasi kohët e fundit u cilësua si vendi më i shëndetshëm në botë për të jetuar.

Falë sistemit të shkëlqyer të transportit publik në këtë vend, vetëm pak njerëz kanë makina personale dhe, për këtë arsye, ndotja e ajrit mbetet në nivele të ulëta.

Ndryshe nga dieta tipike jo e shëndetshme perëndimore, ushqimi japonez bazohet te porcionet e vogla dhe tek ushqimet e pasura me proteina, që do të thotë se në Japoni, nivelet e obezitetit janë më të ulëta dhe shëndeti në përgjithësi është më i mirë.

Duke qenë se ecja është mjeti kryesor i lëvizjes, individët janë më aktivë dhe kanë formë më të mirë fizike. Të gjithë këta faktorë së bashku kanë bërë që Japonia të ketë jetëgjatësinë më të lartë në botë.

Është e qartë se ne të gjithë mund të mësojmë shumë nga Japonia, si dhe nga vende të tjera të shëndetshme si Zvicra dhe Norvegjia. Por, çfarë duhet të bëjmë ne dhe qeveritë tona për të ndjekur këto shembuj?

Ndalimi i duhanit

Vendet në mbarë botën kanë ndërmarrë hapa drejt reduktimit të përdorimit të duhanit gjatë viteve të fundit, në një përpjekje për të përmirësuar shëndetin publik – dhe, në situatën e pandemisë së Covid-19, inkurajimi i duhanpirësve për të hequr dorë nga ky ves është bërë më i rëndësishëm se kurrë.

Vende si Irlanda, Greqia, Bullgaria, Malta, Spanja dhe Hungaria aktualisht kanë dispozitat më të rrepta në fuqi kundër duhanit. Si rezultat, këto shtete kanë pasur një reduktim të madh të presionit në sistemet e tyre shëndetësore.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar shpreson ta bëjë vendin smoke-free deri në vitin 2030 dhe për këtë arsye janë miratuar legjislacione të ndryshme për të ndihmuar në realizimin e këtij objektivi.

Duhanpirja rrit rrezikun e kancerit të mushkërive, të sëmundjeve kardiovaskulare dhe të problemeve të tjera të frymëmarrjes; si dhe ofron një sërë efektesh të menjëhershme anësore, të tilla si rrahjet e shpejta të zemrës dhe vështirësia në frymëmarrje – kështu që ka shumë arsye për ta lënë duhanin.

Përmirësimi i cilësisë së ushqimit dhe të ajrit

Zvicra është një nga vendet më të mira për të jetuar, me një jetëgjatësi mesatare prej 84 vitesh. Megjithëse peizazhet e mrekullueshme natyrore të Zvicrës luajnë rol të rëndësishëm në joshjen e banorëve për të dalë në natyrë dhe për të bërë ecje, për të vrapuar ose për të bërë ski, kjo nuk është arsyeja e vetme pse zviceranët jetojnë më gjatë. Një dietë e shëndetshme, e bazuar tek ushqimet e freskëta, mund të jetë çelësi i kësaj jetëgjatësie.

Dieta zvicerane përfshin shumë pak ushqime të përpunuara, dhe, si rezultat i kësaj, shkalla e obezitetit mbetet shumë e ulët në këtë vend. Gjithashtu, ecja në këmbë është më e zakonshme në Zvicër, krahasuar me përdorimin e makinave.

Rritja e numrit të profesionistëve të shëndetit

Në Norvegji, ka 48.04 psikiatër për çdo 100,000 njerëz – ky është raporti më i lartë nga çdo vend tjetër në botë.

Megjithëse ka një shkallë mjaft të lartë të çrregullimeve të shëndetit mendor dhe të normave të abuzimit me substancat narkotike, ky vend ka pasur një fokus të ve?antë te rritja e numrit të profesionistëve për të mbështetur pacientët, në mënyrë që listat e pritjes të jenë më të shkurtra dhe për t’u siguruar që ata që kanë nevojë, të mjekohen sa më shpejt të jetë e mundur.

Ndërkohë, Turqia ka bërë një punë të shkëlqyer në trajnimin e infermierëve, duke arritur shifrën e 150.25 infermierëve për çdo 100,000 banorë. Duke shtuar këtu edhe kujdesin shëndetësor falas, Turqia ka një ndër sistemet më të mira të kujdesit shëndetësor në botë.

Norvegjia dhe Turqia nuk janë vendet e vetme që ofrojnë një nivel mbresëlënës të mbështetjes në fushën e shëndetësisë dhe të mirëqenies, por ne mund të mësojmë shumë prej tyre.

Duke pasur një fokus më të madh në rritjen e këtyre profesioneve dhe duke investuar në trajnime më të mira për këta profesionistë, qeveritë mund t’i bëjnë vendet tona më të shëndetshme dhe më të mira për të jetuar. /monitor/

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull