Pas një kohe të gjatë të motit pranveror në Evropë pritet rikthimi e temperaturave të ulëta dhe reshjeve të borës edhe pse jemi zyrtarisht në fillim të pranverës. Masa ajrore të ftohta me orirgjinë polare së bashku me lagështinë e Atlantikut pritet të kushtëzojnë reshje shiu, por edhe bore në shumë pjesë të Kontinentit Evropian duke filluar që nga Britania e Madhe e deri në Gadishullin Iberik.
Reshje bore gjatë ditëve të ardhshme priten në Francë, Gjermani, Zvicër, Austri, Poloni etj. Reshjet e borës përpos viseve kodrinore-malore pritet të përfshijnë edhe shumë ultësira në këto vende, por normalisht nuk duhet pritur borë në të gjitha ultësirat.
Pas një periudhe të gjatë të motit stabil Evropa do të përballet me ulje të ndjeshme të temperaturave dhe reshje bore. Në gjirin e Gjenovës së Italisë kemi ciklonin e fuqishëm i cili pritet të ndikojë edhe në Gadishullin Ballkanik, por tek ne rrymimet ajrore do të jenë nga jugu dhe reshjet do të jenë kryesisht në formë të shiut, ndërsa në Evropë rrymimet ajrore do të jenë nga lindja dhe veriu dhe për këtë arsye priten reshje bore, megjithatë pas disa ditëve edhe tek ne priten ulje të temperaturave dhe mundësi për reshje kalimtare bore, por për momentin kemi shpresë së masat e ftohta ajrore tek ne do të jenë shumë më të dobëta se në Evropë.
Reshje bore gjatë ditëve të ardhshme priten edhe në gati të gjitha viset kodrinore-malore të rajonit tonë duke filluar që nga Sllovenia deri në Shqipëri e Greqi./MeteoBallkan