Kampionati italian i futbollit duket se është në kaos total. Njëmbëdhjetë klube, përfshirë pesë në Serinë A, janë nën hetim nga Prokuroria Federale në lidhje me çështjen e plusvalencave fiktive.
Juventus, Napoli, Sampdoria, Xhenoa, Parma, Empoli, Pro Vercelli, Pisa, Kievo, Pescara dhe Novara janë 11 klubet që kanë shitur e blerë lojtarë me vlera shumë më të larta sesa ajo reale e tyre, në mënyrë që të ndikojnë në përmirësimin e plusvalencës.
Sipas medieve italiane, Prokuroria Federale ka kërkuar masë administrative me gjobë për këto 11 klube, teksa është kërkuar gjithashtu masë edhe për plot 61 zyrtarë klubesh, përfshirë drejtues dhe administratorë.
Rastet e plusvalencave po hetohen paralelisht edhe nga Guardia Di Finanza, që nuk ka dalë ende në një konkluzion, ndryshe nga Prokuroria Federale, që bëri të ditura rezultatet e hetimit.
Përveç gjobave, në rast të shpalljes fajtor, këto klube rrezikojnë deri në masa ekstreme si përjashtimi nga kampionati.