BËNI Ç’TË DONI ME PRESIDENTIN, VETËM MOS NA E SHISNI SI TË RËNDËSISHËM

2 Minuta Lexim
Nga Astrit Patozi
Bëni more ç’të doni me Presidentin e ardhshëm, vetëm mos na e shisni sikur kjo është një ngjarje politike, që ka vërtetë rëndësi.
Sepse edhe sikur ta zbrisni nga qielli, apo edhe sikur të kapni të parin, që iu del përpara në rrugë, nuk është se ndryshon shumë si rezultat praktik për Shqipërinë.
Madje edhe po ta lini pa president fare e njëjta gjë do të jetë, sepse siç u mësuam 3 vjet pa Gjykatë Kushtetuese, do bëjmë si do bëjmë edhe pa rrogëtarin më të paguar të shtetit, i cili punon në Presidencë.
Është gjithashtu e kotë të krahasosh ata që e kanë kryer detyrën e kreut të shtetit në këto 32 vjet, gjithmonë duke u përpjekur të gjesh më të keqin.
Sepse kjo nuk është thjesht çështje e cilësive dhe e dhuntive personale të ish-krerëve të shtetit, pavarësisht se shumë prej tyre kanë qenë shumë kreativë për katandisjen e institucionit dhe raporteve të tij me të tërën.
Por është më shumë “meritë” e sistemit të kalbur kryetarokratik, ku asgjë tjetër nuk ka vlerë, përveç pushtetit të atij që bëhet kryeministër, me pjesën e luanit, dhe të atij tjetrit në opozitë, që pret radhën, duke u kënaqur ose jo me hisen e çakallit.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull