Nga Mehmet Elezi
Në qershor 2001 mora pjesë në një konferencë ndërkombëtare në Moskë. Makineria e Putinit e kishte shndërruar Groznin dhe krejt Çeçeninë në varrezë masive.
Në detin e Veriut qe fundosur nëndetësja bërthamore “Kursk”, 118 anëtarët e ekipazhit kishin humbur jetën. Putini kish vijuar pushimet, vetëm pesë ditë pas tragjedisë qe kthyer nga Soçi.
Nga po shkonte Rusia?
Nga cikli me poezi “Janë sosur motivet për Moskën”, që shkrova gjatë atij udhëtimi, po postoj tri, shkëputur nga përmbledhja “Nën një flok të përlotur bore” (2005).
———
GJENIU
Prej ballkonit tim në Hotel Ukraina
Mrekullohem me gjeninë e një të marri
Në Kutuzovski Prospekt për vija të bardha s’pyet
Shalakatet, trupon, trafikun pret në qafë.
Sirenat e policisë çmenden, shqyejnë me brirë hënën
Ketrushat lirojnë putrat, qytetin lëshojnë si vezë.
Hapa të marri, shkreptima varri a potkonj të një kali?
Rrëqethet, bën kryq Moska, rrudhet, bie në peshë.
O i pamend i mençëm, gjysmëperëndi
Vetë Tolstoi për ty tha: Haxhi Murati po vjen.
Trupi yt i thatë bleroi e u mbush me degë e me fletë
O Zot, lëviz Pylli i Brinjës i Shpirtit Çeçen!
KURRKUSH S’MË BIE NJË LAJM
Kurrkush këtu s’më bie një lajm, kurrkush. Era
Shkruan muret me shkronja cirilike
Nëndetëset nga fjordet e syve të vajzave
Janë nisë kah Kursku me mbledhë rënkime.
MATRIOSHKË
I mrrolët treni i reve prej Siberie
Çati kristali për peshqit monton në lumë
Ku do të banojë dimri? Në sytë e vajzave
Akulli flakë ndizet, bora qan me lule.
Metro e mesnatës, shishe vodke e zbrazët
Thithet e përthithet prej të dehurit të mbramë
Në rrekje me e ngrohë terrin e pritjes së tradhtuar
Një dritare regëtin e jep shpirt e hapur.
…
Ku do të banojë dimri? Me qershor Moska mbushur
Në ikje një shkumë birre sykaltër më pi
Mistershëm në kukullat matrioshka riprodhuar
Rusia ç’ditë fsheh brenda, kushedi.