Moska zyrtare e ka cilësuar si “propagandë të inskenuar nga Perëndimi” videon që tregonte civilët e vdekur në rrugët e qytetit ukrainas Bucha.
Videot janë “urdhëruar” nga Shtetet e Bashkuara si pjesë e një komploti për të fajësuar Rusinë, tha dje zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.
“Kush janë mjeshtrit e provokimit? Sigurisht që Shtetet e Bashkuara dhe NATO,” tha Zakharova.
Nga ana tjetër, masakra të ngjashme me atë të raportuar në qytetin Bucha, jashtë Kievit, mund të jenë “të përhapura” në zonat e mbajtura nga forcat ruse, thotë Jack Watling nga grupi i ekspertëve të mbrojtjes dhe sigurisë në Mbretërinë e Bashkuar për BBC.
Ukraina ka akuzuar Rusinë për një “masakër të qëllimshme” në Bucha pasi gazetarët gjetën të paktën 20 trupa të shpërndarë në rrugë.
“Kjo nuk është një mizori e vetme. Kjo është shumë mënyra se si rusët kryejnë luftë antipartizane. Unë mendoj se në ato zona ku rusët kanë pushtuar territorin, ne do të zbulojmë një numër të konsiderueshëm aktesh si ky. Qëllimi i këtyre mizorive do të jetë i njëjti, që është të hakmerren kundër popullatës për guximin për të rezistuar. Unë mendoj se kjo do të jetë shumë e përhapur. Ata bënë të njëjtën gjë në Afganistan. Ata bënë të njëjtën gjë në Çeçeni dhe në Luftën e Dytë Botërore. Kjo është një doktrinë e luftës antipartizane, e cila ka të bëjë me ndëshkimin kolektiv.”– tha Watling.