Nga Lindita KOMANI-
Edith Durham (8 dhjetor 1863 – 15 nëntor 1944) ishte e para ndër tre britanikët që përfshihen në letërkëmbim me Mid’hatin në vëllimin VI të veprës së tij, të cilën ai e kontaktoi për të filluar letërkëmbimet e natyrës diplomatike. Kjo ndodhi më 21 nëntor 1918, një ditë pasi ai bashkë me Dr.Turtullin kishin nisur zyrtarisht kërkesën tek Ministri i Jashtëm Francez dhe tek Foreign Office për të pasur të drejtën e prezantimit të çështjes shqiptare pranë këtyre institucioneve, që është shenjë e qartë treguese për peshën e madhe që kishte Edith Durham në angazhimin pro Shqipërisë e shqiptarëve.
Ndonëse kishin 4 vjet pa komunikuar me njëri-tjetrin me letra, “biseda” mes Mid’hatit si shkrues dhe Durhamit si lexuese e saj, zhvillohet me ton miqësor, me vlerësimin që bën Mid’hati për veprimtarinë e gjerësishme të Durhamit për shqiptarët dhe gëzimin që Durham kuptohet që ndien teksa merr vesh me këtë rast që Mid’hati është mirë. Mid’hati e nis letërkëmbimin me: “Rreth 4 vjet më parë, në Sofje, mora letrën tuaj të fundit, në të cilën më thoshit se ishit e zënë në Francë në një spital, por kjo nuk ju bënte t’i harroni shqiptarët tuaj. Që prej asaj kohe di gjithë mbështetjen që i keni dhënë kauzës sonë dhe jam i lumtur që t’ju shpreh me këtë letër gjithë mirënjohjen time personale.”Durham e nis përgjigjen e parë (8 dhjetor 1918 që përkon të jetë edhe ditëlindja e saj) me: “Shumë herë gjatë këtyre dy viteve të fundit kam pyetur veten “po ku, pra, ndodhet vallë Mid’hat bej? A është ende gjallë?”. Sepse shumë nga miqtë tanë kanë vdekur në këtë luftë të kobshme. Me siguri keni vuajtur shumë. Shpresoj megjithatë të mbaheni mirë.”Në mënyrë vizionare, Mid’hati që në letrën e parë parashtron parashikimet e tij lidhur me shanset relativisht të mira që kishte Shqipëria me konstelacionin e ri që ishte krijuar.
Ai shkruan:“Mendoj që gjendja e re e krijuar në Lindjen e Afërt nga rënia e Austrisë dhe Turqisë do t’i lehtësojë çështjet e Shqipërisë me anë të kompensimit që italianët, serbët dhe grekët do të jenë në gjendje ta gjejnë tjetërkund, pa patur nevojë të sulmojnë vendin tonë. Shpresoj gjithashtu që rënia e carizmit do ta bëjë Francën më favorizuese në këtë kohë. Përsa i përket Anglisë dhe Amerikës, jam i sigurt që kauza jonë do të gjejë jehonë pozitive atje.” Më 31 tetor 1919 Durham raporton se kishte qenë e ftuar nga The Balkan Committee. Ky komitet funksiononte brenda parlamentit britanik dhe pjesë e të cilit në vitin 1906, sipas të dhënave të gjetura nga ne, ishin 64 deputetë: 55 liberalë, 3 konservatorë dhe nga 6 laburistë [1] Durham shkruan:“[…] i paraqita Komitetit një ekspoze të gjatë për gjendjen shqiptare që nga viti 1913. Sidomos dhashë shpjegime për intrigat franceze, serbe, greke e italiane për të asgjësuar mundësinë e ekzistencës të një Shqipërie. Dhe tregova historinë e vërtetë të “revolucionit” kundër Wied. Pas diskutimesh të ndezura, Komiteti vendosi njëzëri të miratojë propozimin se duhen bërë përpjekje për të shpëtuar të drejtat e Shqipërisë të njohura me anë të traktatit të 1913-ës.”Me këtë rast ajo njofton se e zgjodhën anëtare të Komitetit dhe se ishte e kënaqur për këtë, sepse dikur e linin jashtë dhe Shqipëria nuk kishte përfaqësues. Qysh në këtë ditë, Durham shprehej se Italia nuk do ta kishte “as forcën, as mjetet për të plotësuar ëndrrat e saj imperialiste”. Me interes është edhe qëndrimi i saj për Serbinë. Në letrën e 31 tetorit 1919 ajo i shkruante Mid’hatit për një episod që duket me vlerë historike.
Nga një bisedë me Lady Boyle, e cila gjatë luftës ishte marrë me refugjatët serbë, ajo kish mësuar se zonja në fjalë kishte njohur personalisht oficerin serb që u kishte futur në kokë idenë tre vrasësve të Franz Ferdinand që të shtinin me revolver. Oficeri serb ishte hapur për këtë në një darkë pasi kishte pirë mirë e mirë. Sipas Lady Boyle oficerët serbë në Korsikë ishin sjellë në mënyrë harbute dhe ajo nuk e gjente dot fjalën e fuqishme për t’i denoncuar. Këtë fjalë në fakt arrinte ta gjente shumë të fortë Durham, e cila i ishte përgjigjur si vijon Ledit Boyle:”Për Perëndi, e dija bukur fort një gjë të tillë që në çastin kur u bë krimi. Unë i kam denoncuar serbët qysh në fillim. Por nuk donin të ma vinin veshin.” Tani, veç kur dëgjoj nga burime të shumta se fati i “Serbisë së Madhe” është një anarki e plotë: se vetë serbët, veçanërisht të rinjtë, e shajnë Pashiqin, duke e etiketuar (sipas zakonit të lezetshëm të serbëve) me epitetet më të pista dhe të neveritshme; se kroatët e sllovenët e konsiderojnë despotizmin e Beogradit të patolerueshëm; se oficerët serbë i kamzhikosin egërsisht ushtarët e tyre (gjë e ndaluar me ligjin austriak) dhe i trajtojnë ata me një egërsi të paimagjinueshme; se, kur u vjen rasti, autoritetet civile tregohen edhe më mizore se ushtarakët.”Përsëri lidhur me serbët, më 23 maj 1920 Durham i raportonte e shqetësuar të rejat që ka marrë vesh nga terreni përmes kolonelit Audrey Herbert, i cili prej pak ditësh ishte kthyer në Angli. Serbët po ndërmerrnin një progagandë të egër në Veri dhe të ndihmuar nga Esadi po bënin gjithçka për të bindur popullin të pranonte Serbinë. Ajo në përgjithësi, në këtë datë në të cilën ka shkruar (23 maj), duket se shihte një situatë të trazuar për Shqipërinë, më së pari se shqiptarët nuk ishin të bashkuar, gjë që ia vështirësonte edhe asaj personalisht veprimtarinë në mbështetje të shqiptarëve.
Gjithmonë duke iu referuar asaj që kishte mësuar nga koloneli Herbert, ajo shprehte se në atë kohë duhej zgjedhur: “1. Ose bashkim e italianizim; 2. ose copëtim dhe zhdukje në duart e grekëve dhe serbëve”.Ndonëse në letrën e parë për Mid’hatin Durham shprehej që mendonte që Italia nuk do t’i arrinte dot “ëndrrat e saj imperialiste”, duke ndjekur zhvillimet në terren dyshime kishin lindur brenda saj që ajo i shprehte në një letër të 30 dhjetorit 1919, ku ajo vinte në balancë shtetet që kishin interesa pushtuese ndaj Shqipërisë dhe mes tyre ajo ishte “e mendimit se Italia është njëmijë herë më e mirë se Serbia apo Greqia. Dhe se pavarësia tani është e pamundur, madje edhe vetëvrasje. Duhet punuar e mësuar.” Ajo vazhdonte më tej duke futur në lojë edhe Austrinë që nuk ishte më në hartë si fuqi e madhe dhe shpreh qëndrime që kanë qarkulluar si ndër të huajt ashtu edhe shqiptarët, si në kohën kur u shpall pavarësia ashtu edhe në vijim. Ajo shkruante:”Kudo në udhëtimet e mia më kanë thënë pareshtur: “Ah, sikur ndonjë Fuqi të kishte e të dëbonte turqit nga vendi ynë, të organizonte vendin, të bënte rrugë, etj. qoftë Austria, qoftë Italia, s’ka rëndësi”. Tani ja që po ndodh dhe mirë do të ishte të pranohej. Nuk shoh rrugë alternative. Faktet e 1913-ës treguan tepër qartë vështirësitë e pavarësisë. Madje pamundësinë, sepse vetë Dr.Turtulli më ka thënë se dëshironte të shihte të vinin në vend trupat e huaja. Përse? Për t’i detyruar shqiptarët të ishin të pavarur, apo për t’i ndihmuar të mos vriten mes tyre? Nën një qeverisje të huaj mbase shpresohet bashkimi.
Megjithatë, kam bindjen e përhershme se kombi shqiptar nuk mund të shkatërrohet kurrë. U ka mbijetuar boll ngjarjeve.”Edhe në këtë letër që për nga toni ngjan krejt e dëshpëruar, Durham megjithatë nuk e kishte humbur shpresën por edhe prekjen dhe njohjen e mirë që kishte pasur për shqiptarët. Nuk janë të ruajtura përgjigjet që Mid’hat Frashëri mund t’i ketë dërguar Durhamit lidhur me shqetësimet që ajo ngrinte dhe sugjerimin që ajo bënte në raport me Italinë, por qëndrimin për temën e fundit ai e kishte shprehur qartë që në shkurt 1919, kur vendosi që të mos nënshkruante programin me të cilin delegacioni shqiptar do të paraqitej në Konferencën e Paqes e sipas të cilit “Italia duhet të dërgojë trupa në kufijtë shqiptarë dhe gjithë organizuesit e degëve administrative duhet të vihen nga Italia” (cit. nga letra për Kolë Tromarën, 8 mars 1919). Kjo i kushtoi Mid’hatit bllokimin si një lloj burgosjeje për gati 2 muaj në Itali, dhe më pas qëndrimin larg tij për muaj të tërë derisa Vatra e dërgoi aty si delegat të sajin.Në përmbyllje mund të themi se pavarësisht dyshimeve që mund të kenë pasur në harkun e viteve 1918-1921 si pasojë e zhvillimeve në Shqipëri dhe në kuadrin e Konferencës së Paqes dhe Lidhjes së Kombeve, vizioni fillestar i Mid’hatit lidhur me qëndrimin e Francës (21 nëntor 1918) ashtu edhe i Durhamit lidhur 31 tetor 1919) në kuadër të Konferencës së Paqes, u realizuan. Me ndryshimet gjeostrategjike që ndodhën me Luftën I Botërore dhe rënien e Rusisë cariste, Franca e mbështeti Shqipërinë dhe nga ana tjetër Italia nuk i arriti “ëndrrat e saj imperialiste”. Kjo e dëshmon që të dy këta personalitete kanë pasur intuitë dhe njohje të mirë të kapaciteteve të shteteve si dhe të zhvillimeve gjeostrategjike të kohës.