Schallenberg: Rusia sheh edhe nga Ballkani Perëndimor

2 Minuta Lexim

Ministri i Jashtëm austriak, Alexander Schallenberg është shprehur, se Rusia nuk i hedh sytë vetëm nga Ukraina. Ai kërkoi çelje të shpejtë të negociatave me Shqipërinë dhe MV dhe liberalizim të vizave me Kosovën.

Në një konferencë donatorësh të organizuar në Berlin (05.04.) për të ndihmuar Moldavinë, një vend i vogël me vetëm 2,6 milionë banorë, por që ka pritur deri tani 370.000 refugjatë, ministri i Jashtem austriak, Alexander Schallenberg është shprehur edhe për Ballkanin Perëndimor. Rusia nuk i hedh sytë vetëm nga Ukraina, por edhe nga Kaukazi jugor, nga Ballkani Perëndimor, dhe Republika e Moldavisë, ka paralajmëruar ministri i Jashtëm austriak, shkruan agjencia Reuters.

Schallenberg kërkoi nga BE që të çelë sa më shpejt negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. “Unë pres që kjo të bëhet ende nën presidencën franceze”, tha Schallenberg. Por presidenca franceze merr fund në qershor.

Slowenien l Westbalkan-Gipfel der EU in BrdoPamje nga samiti i BE me Ballkanin Perëndimor në Brdo, Slloveni 06.10.2021

Po ashtu ministri i Jashtëm austriak, Schallenberg ka kërkuar që të liberalizohen vizat sa më shpejt me Kosovën. Kosova edhe Bosnje-Hercegovina duhet të marrin po ashtu një perspektivë anëtarësimi. Bëhet fjalë nëse këto gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor do të mbeten në rrugën europiane të demokracisë e lirisë apo jo, tha Schallenberg duke kujtuar influencën e Rusisë, Kinës dhe vendeve të tjera në rajon.

BE nuk duhet të harrojë, se procese të mëparshme anëtarësimi kanë çuar në forcimin e zhvillimeve demokratike tek vendet e sotme anëtare, tha Schallenberg. “Pa anëtarësimin në BE, vendet europianolindore sot ndoshta do të ishin në një gjendje tjetër edhe më të vështirë”, u shpreh Schallneberg, duke pasur parasysh Rusinë./DW

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull