Prokuroria Speciale SPAK ka nisur hetimet për një prej aferave më flagrante në shëndetësi, me protagonistë biznesmenin kontrovers Janis Karathano dhe ministren Ogerta Manastirliun.
Lajmi vjen i puiblikuar nga “Pamfleti”, sipas të cilit bëhet fjalë për koncesionin korruptiv të 18 laboratorëve në spitalet universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjes, me vlerë mbi 100 milionë euro. Sipas një dosjeje që Kontrolli i Lartë i Shtetit ka referuar në SPAK, Ogerta Manastirliu dhe banda e saj në ministri, i kanë dhënë klientit të tyre Janis Karathano koncesionin në shkelje flagrante të ligjit.
Edhe pse Ogerta Manastirliu ishte paralajmëruar nga Banka Botërore që kompanitë e Karathanos ishin të skeduara për aktivitet kriminal në Spanjë dhe si të tilla nuk duhet ta përfitonin koncesionin, sërish ministrja, duke shpërdoruar detyrën, ia dha koncesionin Karathanos, shkruan “pamfleti” duke vijuar:
“Pavarësisht ndërhyrjeve të paligjshme, lobimeve dhe alarmit të personave të implikuar, SPAK po vijoin hetimet dhe duket se ka rënë në gjurmën e një prej aferave korruptive më serioze në sektorin e shëndetësisë…
Koncesionin e laboratorëve e kanë marrë kompanitë “Labopharma”, “Exalab France” dhe “AB Laboratory Solution BV”. Pas “Labopharma” dhe “AB Laboratory Solution BV” qëndron Janis Karathano, i cili është edhe pronar i “Pegasus”, nja nga kompanitë që ka përfituar më shumë para në shëndetësi.
Komisioni i dhënies së koncesionit të laboratorëve i komanduar nga Manastirliu ka refuzuar të pranojë kundërshtimin e Korporatës Ndërkombëtare të Investimeve (IFC), pjesë e Bankës Botërore, për këtë koncesion.
Korporata Ndërkombëtare e Investimeve kishte kërkuar skualifikimin e grupit të kompanive fituese, pasi njëra kompani e Karathanos ishte në ndjekje penale në Spanjë për aktivitet kriminal, ndërsa kompania tjetër nuk kishte përqindjen e nevojshme të së drejtës së votës në kompaninë mëmë. Shkeljet penale janë flagrante dhe kanë sjellë si pasojë vjedhjen e parave publike.”