Marrja në shqyrtim nga Gjykata e Apelit e vendimit që dha Agron Zhukri për t’i dhënë vulën Berishës, ka alarmuar “foltoren”. Gjyqtari pranoi ndryshimet statutore të Kuvendit që thirri Berisha dhe në këtë mënyrë legjitimoi Komisionin e Rithemelimit.
Por kryetari në detyrë Enkelejd Alibeaj, e ankimoi vendimin dhe Gjykata e Tiranës e bëri të qartë se vendimi i Zhukrit nuk mund të jetë i formës së prerë përderisa kemi ankimim në Apel. Gjykata pranoi kërkesën e Alibeajt dhe tashmë pritet të merret një vendim. Pritet që të bashkohen në një çështje, si ajo e statutit të “foltores” ashtu edhe ajo e statutit që miratoi Kuvendi i thirrur nga Basha.
Por kjo lëvizje e ka bërë nul vendimin e Zhukrit dhe kjo ka shqetësuar Berishën. Ky i fundit ka pasur sot debate dhe përplasje të forta në mbledhje grupi me Enklejd Alibeajn, duke i bërë presione që të tërhiqet nga padia. Berisha e akuzoi se kishte ngritur padi kundër partisë së tij dhe nuk mund të jetë kryetar grupi. Deri dje Berisha e njihet Alibeajn si kryetar grupi, ndërsa nuk e njihet si kryetar në detyrë të partisë. Por sapo Apeli pranoi padinë, Berisha ka nisur tentativat por të bllokuar vendimin.
Së pari Alibeajt po i bëhet presion që të tërhiqet nga ankimimi. Në mediat pranë Berishës kanë nisur të bëhen shkrime kundër kreut të grupit parlamentar. Lajmi më i fundit ishte se ai se ka përfituar financime nga ish-guvernatori i shtetit të Paraguajit, Carlos Fernández Valdovinos.
Edhe sot, Berisha me deputetët pranë tij e kanë sulmuar dhe i kanë kërkuar Alibeajt që të largohet nga kreu i grupit. Sinjalet janë se Berisha po tenton të vendosë një njeri të besuar të tij në krye të grupit dhe më pas ai të mos e mbrojë ankimimin në gjykatë.
Elementi tjetër është se Komisioni i Rithemelimit ka bërë kërkesë në gjykatë ku ka kërkuar që të ndryshohet njëri prej anëtarëve të gjykatës që do të shqyrtojë ndryshimet statutore. Sipas tyre ai është në konflikt interesi.
Pra duket qartë se Berisha i trembet një vendimi që rrëzon Zhukrin dhe kjo do nxirrte atë jashtë loje. Nëse Apeli miraton ndryshimet statutore, Berisha do marrë vulën dhe selinë, por nëse kemi një vendim kundër, Komisioni i Rithemelimit bie dhe po ashtu bashkë me të, të gjitha aktet. Që nga referendumi, zgjedhjet në degë dhe gjithçka tjetër.
Po ashtu vendimi i Apelit kundër Zhukrit legjitimon Alibeajn si kryetar në detyrë dhe do të jetë ky i fundit që do të dërgojë PD në zgjedhje. Nëse ndodh kjo, atëherë Berisha mund të përjashtohet si kandidat sepse Kuvendi i 18 dhjetorit vendosi që emrat “non grata” nuk duhet të mbajnë funksione drejtuese. Si duket prandaj Berisha i trembet vendimit të Gjykatës së Apelit. /Pamfleti/