PD mblodhi sot grupin parlamentar dhe shumë deputetë nuk e mbështesin rikthimin e Berishës. Të vetmit që i dolën në krah Berishë janë deputetët që i shkojnë pas, si Albana Vokshi dhe Flamur Noka, ndërsa pjesa tjetër janë kundër mënyrës që po ndiqet për bashkimin e PD dhe rikthimit të Berishës kryetar.
Ndër emrat më kritikë në këtë mbledhje ka qenë kryetari në detyrë Enkelejd Alibeaj. Mes tij dhe Berishës ka pasur debate të forta në mbledhje. “Përbashkimi i PD ka pasur vështirësi, por ekziston një vullnet i gjerë si në bazë si te deputetë për të zhbërë një periudhë të shkurtër përçarje, por po ju them në këtë kontekst u shprehëm publikisht se ne e pranojmë si kryetar grupi edhe pse në 11 dhjetor është i shkarkuar nga detyra. Duheshin bërë hapa në këtë drejtim. Por një njeri dha dorëheqjen, iku që pasoi një zinxhir ngjarjesh. Ai mbart me vete të vërteta të hidhura si dosjen ruse psh. Unë e kam mohuar vetë, por dolën gabim të dhënat që kisha unë. Por ka edhe një gjë tjetër. Pa asnjë tagër, Alibeaj padit PD në gjykatë. Padit një proces që demokratët e kanë pranuar. Yuri Kim ka bërë presion në gjykatë”, tha Berisha gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura.
Por Enkelejd Alibeaj reagoi ashpër ndaj Berishës dhe u shpreh se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga ankimimi për ndryshimet në statut. “T’i pushtove selinë e PD. Do që të hiqesh si triumfator. Unë besoj se Apeli do e zhbëjë atë vendimmarrje të marrë nga një gjyqtar në konflikt interesi dhe shkelje te ligjit. Ai vendim nuk është i formës së prerë”, theksoi Alibeaj gjatë debatit me dyer të mbyllura. Pra kryetari në detyrë duket se i ka treguar derën Berishës, pasi nëse Apeli e rrëzon vendimin, Alibeaj mbetet kryetar dhe Komisioni i Rithemelimit nuk ka asnjë kompetencë. Po ashtu Alibeaj ja ka bërë të qartë Berishës se ai nuk është i mirëpritur aty sepse është përjashtuar nga grupi. Edhe sot Berisha nuk është njoftuar që të jetë pjesë e mbledhjes. Berisha më pas e braktisi mbledhjen duke u larguar, por u rikthye në takim.
Mbledhja vijoi dhe fjalën e morën shumë deputetë, ndërsa rreth orës 17.30 pati sërish tensione. Berisha ka dashur të flasë sërish, por Alibeaj nuk i ka dhënë fjalën. Por pavarësisht këtij fakti Berisha u ngrit në këmbë dhe ka nisur që të flasë. Kjo ka bërë që Alibeaj të largohet nga salla. Mbledhja u ndërpre për 10 minuta dhe rinisi më pas rikthimit të Alibeajt. Por pas tij ishte Berisha, i cili u largua nga takimi dhe u duk tepër i irrituar. Nga deklaratat e Berishës para gazetarëve dhe në mbledhje, duket se frika e tij është se Apeli do i rrëzojë statutin dhe do i bien të gjitha planet….