Qeveria e Kosovës në mbledhjen e kësaj të marte miratoi projektligjin që i hap rrugë rritjes së pagës minimale në 250 euro. Nga kjo rritje do të përfitojnë rreth 300 mijë qytetarë në Kosovë ndërsa në vendimin e qeverisë theksohet se paga deri në 250 euro, lirohet nga tatimi.
Pas rritjes së vazhdueshme të inflacionit në Kosovë, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit kanë kërkuar në vazhdimësi një vendim të tillë.
Në muajin mars, inflacioni ka arritur në 10 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë, vitin e kaluar.
Një tjetër vendim i qeverisë ishte edhe ndalimi përkohësisht i eksporteve të disa produkteve ushqimore në vende të rajonit dhe më gjerë, me qëllim që të sigurohet furnizimi i qytetarëve me produkte si gruri, misri, mielli, vaji ushqimor, kripa e kuzhinës dhe sheqeri.
Edhe Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë vënë ndalesa në eksportin e mallrave të caktuara ushqimore, për shkak të krizës së shkaktuar nga lufta në Ukrainë.