Kontekst i ri në marrëdhëniet ndërmjet Kinës dhe Bashkimit Europian

6 Minuta Lexim

Nga Aleksandër ÇIPA-

Kina ka përzgjedhur që për interes strategjik të saj të përqafojë rolin e një pale të papërfshirë ose të bazuar mbi të ashtuquajturin parim të neutralitetit.

Në këtë qasje vetjake, pozicioni i Kinës është i ndryshëm me pozicionin e qartë të Bashkimit Europian kundër Rusisë në raport me agresionin e saj mbi Ukrainën.

Nisur nga ajo çfarë Kina zyrtare gjykon se është një strategji maturie dhe peshim i risqeve të zhvillimeve ndërkombëtare mbi interesin e saj kombëtar, ajo po sendërton imazhin dhe rolin e “tjetrës së madhe”. Padyshim që qëndrimi i Pekinit ka ndikuar në strukturimin e ekuilibrave të deritanishme, pas pozicionimeve të ndryshme të shteteve më të fuqishme rreth asaj që po ndodh në Ukrainë. Pikërisht për këtë fakt, në perëndim shikohet më vëmendje të posaçme çdo deklaratë dhe qëndrim i mbajtur nga zyrtarët e ndryshëm kinezë.

Sistemi gjeopolitik është në ndryshim e sipër dhe opinioni botëror ende nuk e ka fituar ndërgjegjësimin për atë që tashmë as nuk rikthehet dhe as nuk dihet se deri ku dhe si do të orientohet në zhvillimet e afërta dhe të ardhme në kuadrin e arenës ndërkombëtare. Vektorët më të fuqishëm të influencave, interesave, qasjeve dhe aleancave të deritanishme kanë dalë nga sistemi ekzistues.

Tani jemi në nisje të një cikli paqëndrueshmërish dhe pse jo edhe konfigurimesh në skenën gjeopolitike, veçanërisht brenda konteksteve rajonale. Do të duhet mjaft kohë për të folur për një arkitekturë të re e të qëndrueshme sigurie në Europë, por edhe më gjerë.

Kina, e pozicionuar me qasjen e neutralitetit, duket se këmbëngul ndaj Europës për një solidaritet dhe marrëdhënie më kontekstuale. Në dialogimet dhe komunikimet diplomatike, Pekini zyrtar përqendrohet rreth vektorit të faktorit stabilizues në një botë tashmë kaq të turbullt dhe me tronditje tektonike. Është një pozicion të cilin Kina interesohet që ta shfrytëzojë dukshëm diplomatikisht edhe për një afëri më të madhe koordinimesh ndërkombëtare.

Madje, në gjuhën zyrtare të takimeve dhe ecejakeve të autoriteteve më të larta të Kinës dhe BE-së, sa në Pekin aq edhe në Bruksel, apo edhe në ato bilaterale mes zyrtarëve të Pekinit dhe kryeqyteteve të tjera europiane, theksohet përsëritshëm dhe me konsistencë nevoja për ulje të tensioneve, paqe dhe trajtim të “secilës çështje”, sikurse flitet edhe për trajtimin e shqetësimeve të sigurisë rajonale mes dy hapësirave të rëndësishme ndërkombëtare.

Ka një përpjekje të qartë që diskursi i Kinës në takimet me përfaqësues të BE-së ose vendeve anëtare të unionit të vendosë në pararojë dhe në qendër të saj promovimin e paqes, mirëkuptimin dhe zhvillimin. Si shembull mund të marrim dhe një nga komunikimet më të rishta të nivelit të lartë ndërmjet dy superfuqive ekonomike. Ndërsa po komunikonte virtualisht në fillim të prillit me Presidentin e Këshillit Europian Charles Michel dhe Presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, Presidenti kinez Xi Jinping në fillim kërkoi që ky rol është më i domosdoshëm se kurrë, dukë nënvijëzuar se konflikti i ndezur është në derë të BE-së.

Jo pa qëllim, ky lloj evokimi u përqas me konceptin e vlerës kohezive në një realitet tronditës. Pala kineze kërkon ripërsëritshëm nga BE një ndryshim qasjeje në marrëdhënien bilaterale, sikurse dhe shpreh gatishmërinë për shqyrtimin e metodave të reja të partneritetit. Kërkesa kineze që BE të marrë më tepër përgjegjësi është fije e sugjerimin në një rol më aktiv europian, çka do të mund të krijonte distancë ndërmjet dy poleve BE-SHBA brenda marrëdhënies euroatlantike.

BE ka përsëritur në bisedimet për situatën në Ukrainë nevojën për shkëmbime dhe role të sinqerta kontributesh të aktorëve të fuqishëm ndërkombëtarë. Si forca të rëndësishme, Bashkimi Europian dhe Kina projektuan mundësinë e një samiti vijues për marrëdhëniet bilaterale, teksa rikonfirmuan bashkarisht se ju intereson forcimi i shkëmbimeve tregtare dhe në përgjithësi marrëdhënia e intensifikuar ekonomike.

ndihma kineze për Ukrainën

ndihma kineze për Ukrainën

Investimi për shuarjen dhe mospërshkallëzimin e luftës në Ukrainë është interes madhor e parësor për Europën. Në sajë të këtij fakti, Bashkimi Europian do të mbetet pandryshueshmërisht i përkushtuar për të gjetur një zgjidhje, pa u tërhequr nga mbështetja për Kievin. Megjithëse harmonizimi i qëndrimit të vendeve europiane me qëndrimin e Kinës nuk duket se do të ndodhë në këtë aspekt, duket sikur përpjekjet për dialog të vazhdueshëm dhe konstruktiv nuk do të mungojnë. Të dyja palët kanë parasysh në këtë sens jo vetëm momentin aktual, që sigurisht është mjaft kritik, por edhe të ardhmen e afërt e të largët.

Kujtojmë që më herët Bashkimi Europian e ka listuar dhe njohur Kinën si një “rival sistemik”, çka ka shkaktuar tensione dhe ngathtësi të dukshme, por ama është ruajtur një kuadro e qëndrueshme e dialogut të nivelit të lartë.

Porti i Hamburgut në Gjermani

Porti i Hamburgut në Gjermani

Sidoqoftë, pandemia COVID-19 dhe situate aktuale në Ukrainë janë dy momente kyçe që peshojnë mjaft aktualisht dhe do të vazhdojnë të kenë një rëndësi të dorës së parë në shtjellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kinës dhe Bashkimit Europian. Të dyja palët janë qartësisht të vetëdijshme për këtë, sikurse dhe për faktin se marrëdhënia ndërmjet tyre ka hyrë tashmë në një epokë të re.

 

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull