Dhunohen dy efektivë policie, ndaluan një makinë që po kryente manovra gjatë lëvizjes, por u përballën me…

2 Minuta Lexim

Dy punonjës policie janë dhunuar mbrëmjen e djeshme nga tre persona, që udhëtonin me një makinë të cilën blutë e vunë re se po kryente manovra të çuditshme gjatë lëvizjes.

Shërbimet e Njësisë Operacionale të Drejtorisë së Policisë Rrugore, thanë se pranë mbikalimit në Qytetin e Bulqizës, kanë ndaluar një automjet “Benz”, pasi u konstatua se kryente manovra gjatë lëvizjes.

“Gjatë procesit të verifikimit, punonjësit e policisë hasën në rezistencën e drejtuesit të mjetit dhe të pasagjerëve që ndodheshin në këtë mjet, për të mos kryer testin e alkoolit drejtuesi i mjetit. Të tre shtetasit në bashkëpunim me njëri tjetrin kundërshtuan me forcë punonjësit e policisë duke ju shkaktuar dëmtime fizike dy prej punonjësve të policisë.

Shërbimet e policisë kanë mundur të vënë në pranga drejtuesin e mjetit, shtetasin Indrit Losha, 30 vjeç, banues në Bulqizë, i cili duke drejtuar mjetin nën efektin e alkoolit, ka kundërshtuar me forcë punonjësit e policisë duke mos i lejuar të kryenin testin e alkoolit dhe të mos shoqërohej në komisariat.

Ndërsa dy pasagjerët kanë mundur të largohen por janë identifikuar dhe shpallur në kërkim dhe konketisht shtetasit Alketo Stafa, 22 vjeç dhe Armand Dumani 30 vjeç, banues në Bulqizë, të cilët kanë goditur punonjësit e policisë duke u shkaktuar dëmtime trupore, me qëllim që mos shoqërohej në Komisariat drejtuesi i automjetit”, bëri me dije policia.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull