Gazeta italiane e sheh Vuçiqin si “Putin të vogël”: Perëndimi të reagojë sa s’është vonë pas kërcënimeve ndaj Kosovës

5 Minuta Lexim

Gazeta italiane “Lanotiziaregionale.it”, në një artikull të gjatë ka përmbledhur gjithë ngjarjet që po ndodhin në vende të ndryshme të botës por edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor si jehonë e luftës së paprecedentë që Vladimir Putin ka nisur në Ukrainë, luftë në të cilën Rusia s’po i kursen as civilët.

Gazeta Express

Gazeta italiane shkruan se lufta që ka nisur Putin në Ukrainë, ka nxjerr në pah armiqtë e tij në Perëndim, megjithatë ka zbuluar edhe ata që në një mënyrë pak a shumë të fshehtë e simpatizojnë Putinin dhe janë të gatshëm që ta marrin Putinin si një model që duhet ndjekur.

Këtu përmendin veprimet e presidentit të Turqisë, Reccep Tayip Erdogan në Kurdistan, ato të presidentit kinez Xi Jingping në Tajvan, dhe kërcënimet që Aleksander Vuçiq ia ka bërë Kosovës. Gazeta italiane teksa e përmend Vuçiqin, i referohet si “fans” i Vladimir Putinit.

“Me pakë fjalë, duket se shumë Putin të vegjël po e gjejnë guximin që t’i shfaqen botës, me një sërë veprimesh që kërcënojnë paqen globale”, shkruan “Lanotiziaregionale.it”, transmeton Gazeta Express.

Gazeta italiane kur flet për kërcënimin e Kosovës nga Serbia, përmend përballjen e fundit të kryediplomates kosovare, Donika Gërvalla-Schwarz  në Këshillin e Sigurimit me ministrin e jashtëm të Serbisë, Nikola Selakovic.

Gazeta italiane kujton të kaluarën e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, derisa thekson se po të ishte për Beogradin sot nuk do të kishte një shtet kosovar me kryeqytet Prishtinën.

“Lanotiziaregionale.it”, thotë se duket që mosmarrëveshjet e vjetra, që për një kohë dukeshin të harruara, po kthehen për t’ia vënë flakën Ballkanit. Këtë gazeta italiane e thotë teksa e përmend gjuhën e ashpër ministrit të jashtëm serb, Nikola Slekaovic, në Këshill të Sigurimit gjatë përballjes me kryediplomaten kosovare, Donika Gërvalla-Schwarz.

Gazeta italiane këtu thekson deklaratën e Selakovicit kur atakon Gërvallen me fjalët “Gërvalla flet për kasapët e Ballkanit, por nuk kujton se kasapët e vërtetë të Ballkanit janë i ashtuquajturi ish-president Hashim Thaçi dhe i ahstuquajturi ish-kryetar i Kuvendit, Kadri Veseli, të cilët po mbahen në burgun e Tribunalit të Hagës për Krime Lufte për UÇK’në”.

Teksa përmendin këtë deklaratë të Selakovicit, në një paragraf më poshtë, gazeta italiane shkruan se “duhet të merren masa para se të jetë tepër vonë”.

“Lanotiziaregionale.it” shkruan se para konfliktit në Ukrainë, fraza të tilla të Selakovicit do ishin cilësuar si një shpërthim momenti, megjithatë thonë se kur deklarata të tilla vijnë pas luftës që Putin ka nisur në Ukrainë “nuk mund të qëndrojmë të shurdhër”, përballë këtyre provokimeve, e që sipas gazetës italiane, janë provokime të cilat duket se e lidhin luftën e Rusisë në Ukrainë me situatën në Ballkan.

Këtu gazeta italiane përmend faktin se Beogradi nuk e ka njohur kurrë pavarësinë e Republikës së Kosovës, sikurse Putini që nuk e njeh atë të Ukrainës. Përveç kësaj, “Lanotiziaregionale.it” thotë se në veri të Kosovës ka territore që e ndjejnë veten të lidhur me Serbinë dhe bën një krahasim me rajonit e Donbass-it.

Tutje përmendin edhe protestat në veri kundër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e ku serbët brohoritnin “Ne i besojmë vetëm presidentit Vucic”.

“Për të mos përmendur që nëse Putin thotë se dëshiron të godasë nazistët në Kiev dhe Erdogan thotë se dëshiron të sulmojë terroristët në Kurdistan, Vuçiç duket se konceptualisht dëshiron të rreshtohet me të dy”, shkruan “Lanotiziaregionale.it”, transmeton Gazeta Express.

Në fund gazeta italiane shkruan se është evidente që ekziston rreziku, meqë Serbia ka disa muaj që lëviz trupat afër kufirit, dhe potencon se lëvizje të tilla nuk lënë shije të mirë.

“Një situatë që rikujton edhe një herë atë që është parë tashmë në Ukrainë dhe për këtë arsye, për të shmangur përsëritjen e gabimeve të së shkuarës, Perëndimi nuk duhet të presë që situata të degjenerojë, por të ndërhyjë përpara se kjo të ndodhë, duke ruajtur paqen”, përfundon “Lanotiziaregionale.it”./GazetaExpress/

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull