Nga Laureta Petoshati
Sheshi i Flamurit ka qenë dhe mbetet shumë i shtrenjtë dhe krenari e ligjshme kombëtare për çdo shqiptar, por mesa duket jo për qeverinë e zotit Rama. Kjo për faktin se përgjatë 110 vjetësh, që nga shpallja e pavarësisë e deri më sot, askujt nuk i kishte shkuar mendja për një paudhësi kaq të ulët, kaq antikombëtare dhe kaq të pabesë. Është drithëruese hedhja e shtyllave të bëtonit në zemër të këtij sheshi që ka qenë symbol i një populli të martirizuar. Njerëzit të lodhur nga politika, nga varfëria, nga frika e humbjes së vendit të punës nuk flasin, por mërmërijnë. Në Vlora ka shumë pak vlonjatë të hershëm, ka pak rini, ka pak zëra që dalin në protestë. “Humbja e kurajos dhe shpresës së një populli është vdekje për të,”-thoshte e madhja Elena Gjika. Në Vlorë ka humbur shpresa, prandaj dhe rinia po largohet në të tjera vende, por ka humbur kurajoja e atyre që kanë mbetur dhe e vetmja shpresë për rikthimin e Sheshit të Flamurit është ardhja e një qeverie tjetër, që do ti hedhë në erë karakatinat, ashtu siç ka bërë Rama me shumë objekte. Por ajo që bije në sy është orteku i reagimeve të vlonjatëve jashtë vendit, të atyre që kanë fituar lirinë ekonomike dhe nuk i prek njeri te buka e gojës. Gjithsesi, ajo që duket e shpeshtë në reagime, është fakti që Ramën e krahasojnë me Esat Pashë Toptanin. Dhe kjo gjë është shprehur dhe nga njerëz seriozë, si ushtaraku i karrierës Sulejman Abazi që shkruan : “Ju që po realizoni me kokëfortësi një masakër urbane kundër vlerave historike të kombit tonë, e keni kaluar poshtërsinë dhe tradhëtinë e Esat Pashe Toptanit!” Po ashtu nuk kanë munguar as reagimet e shumë artistëve si Muntaz Dhrami, Agim Sulaj dhe Vladimir Llakaj, të cilët janë shprehur publikisht. Kryeministri Rama ka gënjyer popullin e Vlorës në fushatë, por dhe më mbrapa kur tha se do ta prishte hotelin e Sulo Sheshut dhe madje do të sillte dhe një vinç që të prishte pjesën e sipërme duke ia kthyer sheshin vlonjatëve. E vërteta doli ndryshe. Jo vetëm që hoteli nuk u prish, por përpara tij me fshehtësi, pa pyetur askënd u ngrit miniterminali, siç thuhet në projektin e parë me vulë e firmë nga Ministria e Kulturës. Kur u panë reagimet atëherë u tha se do të jetë tempull hijezues? Në çfarë vendi të botës është parë që të ndërhyhet e të bëhen punime pa pyetur publikun në një shesh që është simbol i kombit dhe i ngjarjeve më të rëndësishme, të cilat kanë qenë vendimtare për ekzistencën e tij? A mund të prekësh për shembull Sheshin Taksim në Stamboll, Trafalgar në Londër, apo Concorde në Paris?! Nëse e prek a mund ta bësh si këto sheshe dhe ta zgjerosh duke rindërtuar ato që mund të rindërtohen dhe duke ruajtur në të njëjtën kohë shtresëzimet historike?! Të gjithë e kuptojmë se nuk mund të bëhen si këto se kushtojnë, por mund të bëhen me pak kosto ashtu siç ka qenë dëshira dhe ëndrra e shumë patriotëve shqiptarë.
Përse u quajt Sheshi i Flamurit
Sheshi para pavarësisë quhej Sheshi i Muradijes, në nder të Sulltan Muratit, që i dha këtë emër gjithë lagjes përreth, si dhe Xhamisë. Kur u shpall pavarësia dhe u valëvit flamuri e njerëzit shëtitën me të në duar dhe ditët në vijim kur u vendos përfundimisht, jo vetëm te Sarajet e Vlorajve, por dhe përballë saj te shtëpia e Sharrajve, në krah të majtë të fasadës së saj njerëzit filluan vetëvetiu ta quanin Shesh i Flamurit. Ata nuk donin ta quanin në emër të pushtuesit shekullor, i cili shkaktoi aq dhimbje sa ndiheshin ende në Vlorë burgosjet, syrgjynimet, përndjekjet dhe vrasjet e patriotëve. Mjafton të kujtojmë këtu vrasjen e patriotit Musa Çakërri, të cilit iu gjetën libra shqip në berberanën e tij që e përdorte dhe si shkollë. Flamuri u vendos si shenjë e qeverisë së pavarur te shtëpia e Sharrajve, e cila kishte mbaruar së ndërtuari në fillim të vitit 1912, pasi aty u vendosën për të punuar dhe jetuar njerëzit që drejtonin 6 ministri. Sipas artikullit “Shpallja e pavarësisë sipas dokumenteve austro-hungareze” të Pr. Dr. Luan Malltezi, botuar te gazeta Nacional 16 shtator 2016 mësojmë se konsulli Wenzel Lijhanec në raportin e tij konfidencial të datës 29.11.1912 shkruan këtë fakt mbi familjen Sharra , duke thënë se “Më 28 mbrëma pasi na pat grishur Ismail Qemal beu, vajtëm unë dhe konsulli Italian në shtëpinë e tij (te Kryetari i madh Hasan Sharra) ku na i shpjegoi se si kish rrjedhur puna si ansamble kombëtare dhe na u lut që vendimin e saj t’ia transmetojmë qeverive tona me lutje që ta kenë mirësinë e ta përkrahin shtetin shqiptar.” Këtë gjë e dëshmon dhe Mit’hat Frashëri në Kujtimet e tij, botuar në vitin 1923, i cili ishte ministër i asaj qeverie dhe për arsye ekonomike se nuk e përballonte dot jetesën për të shkuar në hotel pasi iku nga shtëpia e Siri bej Vlorës shkoi për të jetuar në një shtëpi më mikpritëse që ishte ajo e Sharrajve. Sipas kujtimeve të tij në atë shtëpi ku rrinte Mehmet Pashë Derralla, Pandeli Cale, Luigj Gurakuqi dhe Qamil Panariti i siguruan dhe atij një dhomë me pamje nga deti. Sipas kujtimeve të tij, të përmbledhura dhe në librin “Gjeniu i Kombit” të Uran Butkës “në shtëpinë e Hasan Sharrës bëheshin mbledhjet e qeverisë, ku shpesh merrnin pjesë edhe Isa Boletini, Ajdin Bej Draga, Riza Bej Jakova, Sami Vrioni, Musa Hekali, Alem Tragjasi, Mehmet Radhima, Qazim Kokoshi, Ahmet Mersini, Ceno Sharra, etj.” Flamuri Kombëtar sidomos pas vrasjes së Ceno Sharrës në Durrës nga rrebelët e Haxhi Qamilit dhe prurjes së trupit të tij me anije në Vlorë nga Tol Arapi, nuk u hoq kurrë më nga ajo shtëpi, madje u zmadhua si për tu thënë rrebelëve dhe atyre që nuk e donin shtetin shqiptar se ai flamur dhe ai shesh nuk do të pushojnë kurrë së ekzistuari.
Rikonceptimi i Sheshit të Flamurit përgjatë kohërave
Përgjatë të paktën njëqind vjetëve, që mbas Luftës së Vlorës 1920, është menduar rikonceptimi i Sheshit të Flamurit. Sipas patriotëve shqiptarë aty duhej të vendosej shtatorja e Ismail bej Vlorës dhe ajo që ata e quanin Obelisku i Shehitëve. Në vitin 1920, pas një tërmeti që e kishte plasaritur disi, shtëpia ku u Shpall Pavarësia ishte bërë e pabanueshme. Këtë fakt na e thotë dhe Ago Agaj te pjesa “Përrallia e Ekrem Vlorës” në librin me kujtime “Lufta e Vlorës” , ku tregon se: “… Abaz Mezini e Ali Beqiri, e nuk di për ç’arsye dhe unë, u ngarkuam të piqeshim me Ekrem benë dhe në shtëpinë e re të tijnë e jo në sarajet e familjes që ishin lënë pas dore që atëherë e, më vonë, i bleu Bashkia e Vlorës e i transformoi në Lulishte Popullore, duke mos respektuar as Ballkonin prej të cilit u shpalos për herë të parë Flamuri i Skënderit pas katërqint e ca vjetëve robëri ( gjë që nuk ia fala kurrë Qazim Kokoshit)…” Në fakt shtëpia duhej rindërtuar tërësisht se ishte e vjetër dhe bashkia nuk i përballonte dot shpenzimet. Por në të njëjtën kohë, midis Ekrem Bej Vlorës dhe shumë intelektualëve vlonjatë ishte vendosur një hendek, për shkak se ai nuk ndihmoi në Luftën e Vlorës siç shkruan po aty Ago Agaj: “U ngremë e u ndamë e shkuam na të tre duke e lënë Ekrem Bejnë vetëm. Dhe kjo ndarje qe, pa i shkuar ndërment asnjërit, një ndarje e përherëshme e Oxhakut të Vlorajve nga populli se sado që më vonë Ekremi u mundua të afrohej me gjithë popullaritetin e Nuredinit, nuk u vu më dot në vënd ai bashkëpunimi i filluar prej Ismail Qemalit. Përkundrazi, pas Luftës, Vlora u bë flamurtarja e antibejlerizmës, e cila alarmoi gjithë bejlerët e Shqipërisë dhe bënë një front të përbashkët kundër Vlorës, sidomos pas rrahjes së Beqir Alizotit në Vlorë dhe vrasjes së Seri Bej Vlorës e atentatit kundër Mufid Libohovës. Nuk u muarr vesh kurrë as vrasësi dhe as shtytësi, po është e vërtetë që Vlonjatët mbarë nuk e pëlqyen vrasjen e Seriut pasi ishte njeri i urtë, i tërhequr dhe i papërzier…” Ndërsa vetë Eqerem Bej Vlora në librin e tij “Kujtime 1885 – 1925” shprehet kështu: “Unë mund të entuziazmohesha ende për dukuri të veçuara e në agoni të kohës kur Shqipëria ishte park kombëtar i Europës, ndërsa me Shqipërinë e viteve njëzetë nuk e ndjeja më veten të lidhur; për shqiptarët e gjallë unë kisha veçse mospëlqim dhe kritikë.”
Gjithsesi, mbas gjithë këtyre mospërputhjeve dhe antagonizmave Bashkia Vlorë arriti më në fund një marrëveshje, që shtëpia të blihej me këste deri në vitin 1925. Në gazetën “Mbrojtja Kombëtare” të 1.4.1922 thuhet se “Bashkia e Vlorës me inisiativën e prefektit, Bajram Fevzi, vendosi të blejë shtëpinë e Xhemil beut me gjithë kopsht. Syrja beu qënka zotuar që Xhemil beu do ta pranojë ofertën që i dha Bashkia 3.000 napolona, të paguhen me pjesë.” Që shtëpia ku lindi Ismail Bej Vlora dhe u shpall pavarësia u prish në vitin 1925, e fakton dhe Eqerem Bej Vlora në librin e tij “Kujtime 1885 – 1925” , te Vitet e fëmijërisë në Vlorë (1885-1899), kur thotë se: “Në hyrjen juglindore të qytetit të Vlorës, në kryqëzimin e shumë rrugëve që, duke zënë fill nga rruga e Skelës, të çonin në qendër të qytetit, në mes të një parku të madh prej 40.000 metrash katrore, rrethuar me mure të larta tetë metroshe dhe me dy porta në të, ka qenë deri në vitin 1925 një ndërtesë e stërmadhe, me një tjetër më të vogël përpara. Ai ishte konaku i Vlorajve, përfshi haremin (banesën e grave) dhe selamllëkun (banesën e burrave)…”
Ajo që duhet theksuar është fakti se në vitin 1925 kryetar Bashkie u vendos Nuredin Bej Vlora, i cili pagoi nga xhepi i tij blerjen e truallit për tia falur qytetit e kombit Lulishten e Sheshit të Flamurit. Ndërsa shtatorja e Ismail Qemalit nuk u ndërtua kurrë, për mungesë fondesh, me përjashtim të vitit 2012 në Skelë në Sheshin “Pavarësia”. Në vitin 1932 u ndërtua Varri Monumental me figurën e Flamurtarit, vepër e skulptorit Odhise Paskali. Në “Kujtimet e Sefa Vlorës” të shkruara në Romë më 6 maj 1968 dhe të përfshira në librin “Ismail Qemali-Kujtime” të përkthyera prej Reshat Agaj, jepen detaje për këtë ngjarje dhe sesi Varri i Ismail bej Vlorës si në Kaninë ashtu dhe në Vlorë ishte kthyer si vend pelegrinazhi: “Në ceremoninë e përmortshme kur u varros për të parën herë në Kaninë, as fshatar, as qytetar nuk qëndroi në shtëpi të tij: Tërë faqet e maleve dhe brigjeve qe qëndronin gjatë udhëtimit ishin mbushur me njerëz. Ish një apoteozë madhështore e popullit, të gjithë pa dallim, dhe një kurorë që ay e fitoi me punën e tij të madhe në shërbim të vendit tij deri sa dha frymën e fundit. Transferimi i dytë i trupit tij nga Kanina në Vlorë, në 1932 pati formën zyrtare, po dhe kësaj here populli, me të math e me të vogël rrodhi vetiu aty në Sheshin e Lirisë në Vlorë për ta nderuar Birin e tij të Madh. Varrimi në Lulishten Popullore të Vlorës qe një mendim me vend, sepse kësisoj Qeveria Mbretërore ia ngarkonte popullit barrën ta ruante, duke e patur afër aty, ku kreu ay vetë veprën e tij historike. Po aty gjendet edhe shtiza e flamurit, e ndërtuar në vitin 1937, kur poeti Ali Asllani, ishte Kryetar i Bashkisë së Vlorës, u ngrit edhe Shtylla e Flamurit Kombëtar”.
Kur u sollën eshtrat e Eqerem Bej Vlorës më 30 mars 2014 në Vlorë, unë si gazetare e Vlora Channel kam bërë një raportim të ngjarjes prej dy ditësh duke intervistuar gjithë të pranishmit. Midis tyre ishte dhe historiani Tanush Frashëri, i martuar me Lilin, vajzën e Sefa Vlorës, si dhe Hana Këlcyra, të cilët pohuan se të dy vëllezërit Vlora kur shihnin ëndrra, i shihnin në sarajet ku u shpall pavarësia. Madje shkatërrimin e saj me anë të ca shërbëtorëve të fuqishëm, për tia dorëzuar truallin bashkisë dhe për të shlyer paratë e të gjithë njerëzve të trungut Vlora, Eqerem bej Vlora nuk e hiqte kurrë nga mendja. Sipas tij, prishja e asaj shtëpie ishte si shkatërrimi i një vendi të shenjtë dhe nëse nuk do të kishte ikur At Shtjefën Gjeçovi nga Vlora më 1921, që komunikonte sikur të ishte shenjt me të gjithë, ndoshta ajo gjë nuk do të kishte ndoshur. Ai kishte një respekt të jashtëzakonshëm për At Shtjefën Gjeçovin dhe në respekt të tij së bashku me baroneshën gjermane Marie Amelie përktheu mjaft pjesë të Kanunit të mbledhur nga Gjeçovi. Eqerem bej Vlora i pat thënë Hana Këlcyrës se të gjithë ata që i ishin kundërvënë për protagonizëm dhe ambicje të sëmurë Ismail Qemalit kishin pasur një fund jo të mirë sikur ti kishte zënë mallkimi. Për më tepër sipas tij dhe prishja e shtëpisë ku u ngrit flamuri ishte një mallkim për të gjithë Vlorajt që do të ndiqnin rrugën e kalvarit. Tanush Frashëri, i cili ndërsa kontrollonte gjithë materialet edhe të Eqerem bej Vlorës për botimin e librit “Ali Këlcyra, aristokrati kuqezi” kishte gjetur dhe skica të vizatuara të shtëpisë së Vlorajve, të bëra publike nga Hana Këlqyra në një libër –album të saj me Eqerem bej Vlorën, e sidomos një shprehje latine “firmitas, utilitas, venustas” (qëndrueshmëri, dobi, ëndje), që kishte të bënte me parimet e arkitekturës nga Vitruvi i kohës romake.
Ideja e At Shtjefën Gjeçovit për Sheshin e Flamurit
Ajo që duhet përmendur është fakti se ato pak shenja dhe dëshirën për ta kthyer Sheshin e Flamurit në një shesh që i ngjante atij të Shën Pjetrit në Vatikan e kishte dhënë At Shtjefën Gjeçovi, që gjatë kohës që ishte pjesë e zbukurimit të qytetit me rastin e fitores së Luftës së Vlorës. Sipas gazetës “Mbrojtja Kombëtare”, të datës 14.10.1920 mësojmë se “më 26 gusht 1920 përfaqësuesit e qytetit u mblodhën në kishën e qytetit, ku në komisionin organizativ ishte edhe At Shtjefën Gjeçovi, krahas kryekatundarit Ali Asllani, Jani Minga, Dom Mark Vasa, Sadik Sorra, Musa Jonuzi, Pandeli Strati, Dhamo Bezhani, Tasko Kafija, Eshref Dano, Kristo Karbunara, Jozef Kantoz, Qamil Qemal Beu, Thimi Opingari, etj.” Sipas dëshmitarëve dhe fotografive të kohës ata e zbukuruan sheshin me Flamuj kombëtarë dhe me kurora e shtylla dafinash në mënyrë të mahnitëshme. At Shtjefën Shtjefën Gjeçovi ishte ideator i Obeliskut të Shehitëve, siç e quanin Vlonjatët, shtyllën përkujtimore të zbukuruar me ngjyrat kuqezi në nderim të shehitëve (dëshmorëve) të rënë në Luftën e Vlorës. Në atë ceremoni përkujtimore patrioti Jani Minga, sipas gazetës “Koha”, Korçë, nr.10, dt.11.9.1920, mbajti një fjalim që “përloti shumicën e të mbledhurve.” Ky do të ishte shkaku që të mendohej më vonë se Sheshi i Flamurit të kishte një obelisk, për të gjithë dëshmorët e kombit të të gjitha vilajeteve. At Shtjefën Gjeçovi kishte dashur një obelisk prej graniti dy ngjyrësh kuq dhe zi, që do të mbështetej mbi një trëndafil të kuq me katër petale si ai në Sheshin Shën Pjetër. Rreth perimetrit të obeliskut, pra te rrethi i lules të ishte shatërvan. Katër petalet do të simbolizonin katër vilajetet. Kushtet historike, ekonomike e të tjera bënë që kjo dëshirë e tij të plotësohej duke u modifikuar me katër topat dhe me shatërvanin, por jo me obeliskun kuqezi. Ndërsa idenë e shtizës së Flamurit e kanë dhënë Patër Anton Harapi dhe Dom Mark Vasa. Ndër donatorët për të realizuar këtë dëshirë të klerikut At Shtjefën Gjeçovi ishin dhe Hasan e Musa Sharra, të cilët ishin miq të Dom Markut, madje kishin ndarë bukën me të gjatë Luftës së Vlorës të internuar në Sazan bashkë me Jani Mingën, Ali Asllanin, Ibrahim Shyti, Ahmet Nure, Naum Prifti, Ali Mihali, Hasim Kokoshi, Haxhi Murati, Ali Kreshpani, Mehmet Radhima, Avokatët Taip Peshkëpia, Behxhet Shpati dhe Asaf Çipi, etj. Sharrajt dhanë pjesë nga oborri përpara shtëpisë, që ishte përballë katër topave. Në rastin e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, Kryetari i Bashkisë së asaj kohe Shpëtim Gjika, duke dëgjuar familjarë të lidhur me Pavarësinë e Shqipërisë si Godiva Shyti, Nedim bej Vlora, Fatos Arapi, Zamira Mati, Elham Sharra, Agron Sharra, Luftar Cakrani, etj, arriti që ti japë sheshit përafërsisht dëshirën e At Shjefën Gjeçovit. Kjo është arsyeja pse shatërvani me katër topat është i shenjtë. Sheshi i Flamurit, pavarësisht se u konceptua sipas idesë së At Shtjefën Gjeçovit, ai kishte miratimin dhe dëshirën edhe të klerikëve të besimeve të tjera. Në Vlorë qoftë në iftare apo pashkë shiheshin bashkë At Shtjefën Gjeçovi, Osman Muka Myftiu i Vlorës, At Isai nga Vlora dhe Dom Mark Vasa që ishin lidhur sipas shprehjes së Fishtës se “ne kemi bajram e pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë”, por dhe që një shesh i tillë u kujtonte dhe Sheshin e Madh në Mekë.
Sheshi i Flamurit si ansambël arkitektonik
Siç e thoshte dhe Eqerem bej Vlora, se sarajet e tyre ndodheshin në kryqëzimin e shumë rrugëve, vetë Sheshi i Flamurit e sidomos Katër Topat përmblidhnin gjithë rrugët në një pikë. Ato ishin si një rreze që lidhnin Rrugën “Justin Godard” ku ishte dhe shtëpia e patriotes Marigo Pozio, libraria “Shpresa” e patriotit Ibrahim Shyti, Rrugën e Hebrenjve, Kishën Katolike, atë Ortodokse të Shën Vlashit, dhe dy xhamitë. Sheshi i Flamurit përmbledh edhe godinën e bankës, Shkollën e Parë Shqipe në Vlorë ku ishte dhe godina e Ministrisë së Arsimit me Luigj Gurakuqin, rrugën “Justin Godard”, sahatin, godinën e dikurshme të bashkisë, Rrugën e Hebrenjve etj. Dëshira e të larguarve nga Shqipëria më 1944 ishte që të ringrihej Shtëpia ku u ngrit flamuri, por kur panë dhe shkatërrimin e shtëpisë së Sharrajve u bindën se regjimi komunist kishte dashur fshirjen nga faqja e dheut të çdo gjurme të atyre që e kishin kundërshtuar. Studjuesja Nermin Vlora Falaschi, mbesa e Ismail Qemalit hodhi idenë e rindërtimit të kësaj shtëpie në takimin me Kryetarin e Bashkisë së asaj kohe Elham Sharra më 18 prill 1993, ditë që pas 80 vjetësh përkonte me ditën që gjyshërit e tyre Ismail Bej Vlora e Hasan Sharra, së bashku me Isa Boletinin, u nisën drejt Londrës për të kërkuar zgjidhje për fatin e Shqipërisë. Edhe pse historiografia komuniste nuk e thotë pjesëmarrjen e tij, këtë gjë e konfirmon fotografia në anije. Madje dhe shumica e shpenzimeve u hoq nga ai sipas shumë dëshmitarëve të kohës. Sipas saj dhe shumë intelektualëve të kohës brenda dhe jashtë Shqipërisë kjo shtëpi duhej ringritur edhe për faktin e persekutimit të egër komunist që kulmoi me vrasjen e inxhinierit Abdyl Sharra për gjoja komplot në tharjen e kënetës së Maliqit.
Si është gjendja sot e Sheshit të Flamurit?
Ajo që të dhëmb është zhdukja e pllakës me emrat e Hebrenjve në rrugën me të njëjtin emër, e vendosur në vitin 2006 nga Ana Kohen, ministri i kulturës së asaj kohe Bujar Leskaj dhe Kryetari i Bashkisë Shpëtim Gjika. Madje, herë pas here është hedhur rruga “Justin Godard” në foto e 3D si Rruga e Hebrenjve. Nuk besoj se është e paqëllimshme. Zgjedhja e një arkitekti të huaj si Xaveer De Geyter, i cili as e njeh dhe as e ndjen Vlorën, për me tepër është i specializuar për arkitekturë metropolitane, tregon qartë se kryeministri Rama po sillet me Sheshin e Flamurit si me një shesh çfarëdo që i duhet për kulla e hotele oligarkësh. Mbjellja e pemëve dhe hedhja e betonit mbi një shesh ku ndodhen dhe themelet e Aulonës së lashtë është krim dhe terrorizëm ndaj kulturës dhe historisë së Vlorës dhe kombit. Nëse vlonjatët kërkojnë një shesh të hapur sipas dëshirave të atyre që e bënë Shqipërinë, kujt i duhet ç’bërja e kërij sheshi dhe vendosja në mes të tij e shtyllave të betonit, që të kujtojnë Krematoriumin e Stokolmit ndërtuar në mes të pyllit nga arkitekti suedez Erik Gunnar Asplund. Kujt i duhet djegia e historisë së një populli të martirizuar përgjatë historisë dhe në emër të kujt bëhet? Arkitektura është vullnet i një komuniteti në hapësirë, por kush po i pyet vlonjatët. Në këtë kohë që bëhen shpenzime marramendëse nuk u gjendën dot paratë për të ringritur historinë siç ishte?! Unë shpresoj ende te djemtë dhe vajzat e familjeve patriotike të Vlorës, për të cilat At Shtjefën Gjeçovi në varrin e Ismail Qemalit në Kaninë ku së bashku me atdhetarin Ahmet Lepenica lartësoi flamurin kombëtar, tha këto fjalë:
“Rroftë bashkimi!…Kënaqu e gëzohu o qytet i Vlonës, se pernjimend paske qenë fatlumë tuj ushqye ksi farë zotnish-djem në prehnin tand. Knaqu e madhnohuni o nanat e vlonjatëve se pernjimend paskeni pasë në gji e rritë djem petrita. ” (Sipas artikullit “At Shtjefën Gjeçov Kryeziu, në Luftën e Vlorës 1920 dhe një foto e rrallë” të Jaho Brahaj në gazetën “Shqiptare”, e datës 21.8. 2021) Ajo që më lind vetvetiu brenda vetes është pyetja: A mos duan ta vrasin këtë shesh tinëzisht të njëjtit njerëz që vranë Shtjefën Gjeçovin?! Por përgjigjen këtyre varrmihësve do t’ua japin ligjërisht dhe atdhetarisht ata që e duan vërtetë Shqipërinë.
Foto e z. Elham Sharra me Nermin Vlora Falaschi marrë nga Besa Sharrah
Fotot
+7
Engjell Musai and 56 others
47 comments
3 shares
Like
Comment
Share
47 comments
View 21 previous comments
-
Respect për JU.! DHE NDJESË PËR MUNGESËN E KËMBNGULJES MASIVE…!!!
-
Like
-