Nga Miles A.POMPER & Vasili TUGANOV-
Pushtimi rus i Ukrainës, ka shtuar frikën e opinionit publik për përdorimin e armëve bërthamore në Evropë ose kundër Shteteve të Bashkuara. Një nivel shqetësimi tillë, nuk është parë që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
Vendet e NATO-s janë befasuar nga kërcënimet e nënkuptuara të Presidentit rus Vladimir Putin për të përdorur armë bërthamore ndaj “kujtdo që ndërhyn kundër nesh” në Ukrainë, dhe vendosja e armëve bërthamore ruse nën një “regjim të veçantë të gatishmërisë luftarake”.
Si Rusia dhe SHBA-ja zotërojnë mijëra armë bërthamore, shumica e të cilave janë 5 apo shumë herë më të fuqishme sesa bombat atomike që rrafshuan Hiroshimën dhe Nagasakin në vitin 1945. Këtu përfshihen rreth 1600 armë bërthamore që janë gati të lëshohen në çdo moment nga secila palë, dhe janë të afta të godasin objektivat në çdo pikë të planetit.
Numri i tyre është afër kufijve të lejuar sipas Traktatit të Ri Strategjik të Reduktimit të Armëve të vitit 2011, i quajtur shpesh si “NEW START”, i cili është i vetmi traktat aktualisht aktiv i kontrollit të armëve bërthamore midis Rusisë dhe SHBA-së.
Arsenalet e këtyre 2 vendeve përfshin raketat balistike ndërkontinentale, të njohura shkurt si i ICBM. Ato lëshohen nga nëndetëset, si dhe avionët e specializuar. Shumë prej këtyre raketave mund të pajisen me shumë armë bërthamore, që mund të godasin në mënyrë të pavarur vende të ndryshme.
Për të garantuar që vendet të respektojnë realisht kufizimet, traktati përfshin inspektime përmes të cilave të dyja palët mund të monitorojnë dhe verifikojnë arsenalin e njëra-tjetrës. Deri në vitin 2018, si Rusia po ashtu edhe SHBA-ja i kishin përmbushur detyrimet e tyre sipas “NEW START”, dhe në fillimin e vitit 2021 u vendos që traktati të shtyhej edhe për 5 vite të tjera.
Arsenalet bërthamore të të dyja vendeve përfshijnë gjithashtu qindra armë bërthamore me rreze më të shkurtër veprimi, të cilat nuk mbulohen nga asnjë traktat. Sipas disa vlerësimeve jozyrtare, aktualisht Rusia ka gati 2.000 të tilla, ose rreth 10 herë më shumë se Shtetet e Bashkuara.
Rreth gjysma e afro 200 bombave bërthamore amerikane me rreze më të shkurtër veprimi, besohet se janë vendosur në 5 vende të NATO-s në Evropë: Belgjikë, Gjermani, Itali, Holandë dhe Turqi, edhe pse SHBA nuk konfirmon apo mohon vendndodhjet e tyre.
Në kohë lufte, parashikohet që avionët aleatë të ngrihen me shpejtësi nga ato vende dhe të fluturonin drejt objektivave të tyre përpara se të lëshojnë bombat. Dy anëtarë të tjerë të NATO-s, Franca dhe Britania e Madhe, kanë gjithashtu arsenalet e tyre bërthamore.
Ato zotërojnë secila qindra armë bërthamore, shumë më pak se 2 superfuqitë bërthamore.
Franca ka raketa bërthamore që lëshohen nga nëndetëset, por edhe nga ato që lëshohen nga avionët. Ndërkohë, Britania e Madhe ka vetëm armë bërthamore që lëshohen nga nëndetëset.
Të dyja këto vende e kanë bërë publike madhësinë dhe natyrën e arsenaleve të tyre, por asnjë prej tyre nuk është apo ka qenë palë në marrëveshjet SHBA-Rusi për kontrollin e armëve të tilla. SHBA, Britania e Madhe dhe Franca mbrojnë aleatët e tjerë të NATO-s nën
“ombrellat e tyre bërthamore”, në përputhje me angazhimin e NATO-s, sipas të cilit një sulm ndaj çdo aleati do të konsiderohet si një sulm ndaj të gjithë aleancës.
Aktualisht, arsenali bërthamor i Kinës është i ngjashëm në madhësi me arsenalin e Britanisë së Madhe dhe Francës. Por ai po rritet me shpejtësi, dhe disa zyrtarë amerikanë kanë frikë se Kina po kërkon të ketë të njëjtën sasi armësh bërthamore me Shtetet e Bashkuara.
Kina, Franca dhe Britania e Madhe nuk janë pjesë e asnjë traktati për kontrollin e armëve të tilla. Edhe India, Pakistani dhe Izraeli kanë secila nga dhjetëra armë bërthamore. Sërish, asnjë prej tyre nuk ka nënshkruar Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, ku nënshkruesit bien dakord të kufizojnë pronësinë e armëve bërthamore tek 5 anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Edhe Koreja e Veriut, që gjithashtu ka dhjetëra armë bërthamore, e nënshkroi traktatin në vitin 1985, por u tërhoq në vitin 2003. Koreja e Veriut i ka testuar vazhdimisht armët bërthamore dhe raketat që i lëshojnë ato. Dikur armë bërthamore kanë pasur edhe vende të tjera.
Kur u shemb Bashkimi Sovjetik në vitin 1991, republikat që u bënë të pavarura, Bjellorusia, Ukraina dhe Kazakistani kishin në territorin e tyre armë bërthamore. Në këmbim të garancive ndërkombëtare për sigurinë e tyre, të tria këto vende ia transferuan armët Rusisë.
Fatmirësisht, asnjë nga këto armë nuk është përdorur në luftë, që nga bombardimet amerikane të Hiroshimës dhe Nagasakit në vitin 1945. Por siç na e kujtojnë ngjarjet e fundit, rreziku i përdorimit të tyre mbetet një mundësi e frikshme. / “The Conversation” – Bota.al