Gazeta spanjolle Marca shkruan se klubi katalanas i Barcelonës ka censuruar festën e një prej të rinjve pasi ai ka imituar Cristiano Ronaldo-n pas shënimit të një goli.
Fermín López shënoi një gol të bukur në ndeshjen e fituar nga skuadra e të rinjve të Barcelonës kundër Cornellàs dhe festoi fiks siç bën CR7 kur i gëzohet një finalizimi fantastik, duke bërë kërcimin klasik në gjysmëkthesë dhe klithmën e Cristianos.
Në transmetimin e drejtpërdrejtë në Barça TV u pa qartë festa e lojtarit të ri, por kur klubi “blaugrana” shpërndau videon e golit në rrjetet sociale, i hoqi pjesën e festës ku imiton Ronaldon, ish-lojtarin të Real Madridit.