Kërcënimi në rritje i një recesioni ekonomik global

8 Minuta Lexim

Nga Kenneth ROGOFF-

A po përjeton ekonomia globale një “stuhi të përsosur”, me Evropën, Kinën dhe Shtetet e Bashkuara që parashikohet të zhyten njëkohësisht në recesion gjatë gjysmës së dytë këtij viti? Rreziqet e një recesioni global po rriten çdo ditë.

Sfida me të cilën përballet presidenti i sapozgjedhur i Francës, Emanuel Makron, është si t’u japë votuesve të tij në raundin e dytë një arsye të vlefshme, që ata të besojnë se e ka dëgjuar zërin e tyre. Një recesion ekonomik në Evropë, do të jetë thuajse i pashmangshëm nëse përshkallëzohet lufta në Ukrainë, dhe nëse Gjermania, që i ka rezistuar fort thirrjeve për të ndalur blerjen e naftës dhe gazit rus, do të bindet më në fund që ta bëjë këtë.

Ndërkohë, duket se Kina e ka gjithnjë e më të vështirë të mbajë një rritje ekonomike pozitive përballë bllokimeve të ashpra për shkak të Covid-19, të cilat e kanë izoluar tashmë Shangain dhe tani kërcënojnë edhe Pekinin. Në fakt, ekonomia kineze mund të jetë tashmë në recesion.

Dhe në kushtet kur çmimet e konsumit në SHBA, po rriten aktualisht me ritmin më të shpejtë në 40 vitet e fundit, perspektivat për një rënie të butë të çmimeve, pa një goditje të madhe ndaj rritjes ekonomike, po duken gjithnjë e më të largëta.

Parashikimet ekonomike private dhe zyrtare kohët e fundit, kanë filluar të nxjerrin në pah rreziqet rajonale në rritje. Por ato e nënvlerësojnë ndoshta shkallën në të cilën ato shumëfishohen, për shkak të ndikimit të njëri-tjetrit.

Për shembull, bllokimet e forta në Kinë, do të dëmtojnë shumë zinxhirët globalë të furnizimit në një periudhë afatshkurtër, duke e rritur më tej inflacionin në SHBA, dhe duke e dobësuar kërkesën në Evropë. Normalisht, këto probleme mund të zbuten nga çmimet më të ulëta të mallrave.

Por pa pasur në horizont një fund të qartë të luftës në Ukrainë, çmimet globale të ushqimit dhe energjisë ka të ngjarë të mbeten të larta në çdo skenar. Një recesion në SHBA, sidomos  nëse shkaktohet nga një cikël rritjesh të normave të interesit nga Rezerva Federale, do ta kufizonte kërkesën globale për importe, dhe do të shkaktonte kaos në tregjet financiare.

Ndonëse recesionet në Evropë, japin normalisht efekte globale, kryesisht përmes kërkesës së reduktuar, një ngadalësim i shkaktuar nga lufta në Ukrainë, mund ta tronditë seriozisht  besimin e biznesit dhe tregjet financiare në mbarë botën.

Sa e mundshme është secila prej këtyre ngjarjeve? Trajektorja e rritjes ekonomike të Kinës ka qenë prej kohësh në rënie, dhe vetëm një kombinim i fatit dhe menaxhimit makroekonomik kompetent, mund të parandalojë një rënie të madhe. Por asnjë administrim i kujdesshëm makroekonomik nuk mund ta shmangë krizën, në kushtet kur udhëheqja kineze po ndjek një strategji të gabuar me menaxhimin e Covid-19.

Tani shumica e vendeve aziatike, i kanë braktisur strategjitë “zero-Covid”, dhe po kalojnë në strategji që synon menaxhimin e Covid-19 si një kërcënim endemik, por po nuk e trajtojnë këtë të fundit si një pandemi. Por kjo gjë nuk po ndodh në Kinë.

Atje qeveria po shpenzon shuma të mëdha parash për të shndërruar në qendra karantine godinat e zbrazëta në qendër të qytetit. Ndoshta qendrat e reja të karantinës janë një ide e shkëlqyer, pasi ofrojnë një mënyrë për të ri-orientuar sektorin e fryrë të ndërtimit drejt aktiviteteve më të dobishme shoqërore, sesa vetëm grumbullimi i sa më shumë projekteve të reja ndërtimore.

 

Ndoshta udhëheqësit kinezë, dinë diçka që homologët e tyre perëndimorë nuk e dinë në lidhje me emergjencën e përgatitjes për pandeminë e ardhshme, dhe qendrat e karantinës mund të duken si vizionare. E megjithatë, ka më shumë të ngjarë, që Kina të jetë duke u angazhuar në një betejë me “mullinjtë e erës” në përpjekje për të mbajtur nën kontroll një virus gjithnjë e më ngjitës.

Qendrat e ngritura prej saj, do të rezultojnë në fund një humbje e madhe burimesh dhe bllokimet do të jenë të kota. Rreziku i një recesioni ekonomik në SHBA është shumë i lartë, dhe pasiguritë kryesore tani janë koha dhe ashpërsia e kësaj krize.

Pikëpamja deri më tani e sigurt, se inflacioni do të bjerë ndjeshëm vetë, dhe se Rezerva Federale (FED) nuk do të detyrohet të rrisë shumë normat e interesit, po duket më e dyshimtë nga dita në ditë. Me shtimin e kursimeve gjatë pandemisë, skenari më i mundshëm është që kërkesa e konsumatorit të mbetet e fortë, ndërsa problemet e zinxhirit të furnizimit do të përkeqësohen më tej.

Është e vërtetë që qeveria amerikane duket se po i redukton politikat e saj të stimulit fiskal, por kjo do të rrisë shqetësimet për recesionin, edhe nëse do të ndihmojë disi në uljen e inflacionit. Dhe nëse programet stimuluese vazhdojnë në shkallë të plotë – meqë është një zgjedhor, pse jo? – kjo do ta vështirësojë akoma më shumë punën e FED.

Sa i përket Evropës, efektet e ngadalësimit të rritjes ekonomike në Kinë dhe SHBA, do ta kishin kërcënuar rritjen e saj, edhe nëse nuk do të kishte nisur lufta në Ukrainë. Por lufta i ka shtuar më shumë rreziqet dhe dobësitë e Evropës. Rritja e saj ekonomike është që tani e dobët.

Në rast se presidenti rus Vladimir Putin do të përdorë armëve taktike, bërthamore ose kimike, Evropa do të detyrohet të ndërpresë me vendosmëri çdo lloj lidhje me të, dhe kjo gjë do të kishte pasoja të pasigurta për ekonominë e saj, por edhe do të sillte rrezikun e përshkallëzimit të mëtejshëm, gjë që mund të nënkuptojë vendosjen e sanksioneve edhe ndaj Kinës.

Ndërkohë, qeveritë evropiane gjenden nën një presion të madh për të rritur ndjeshëm shpenzimet e tyre për mbrojtjen kombëtare. Është e qartë se në rastin e një recesioni global, tregjet në zhvillim dhe ekonomitë më të varfra në zhvillim do të vuajnë shumë.

Probleme mund të kenë edhe vendet eksportuese të energjisë dhe ushqimit, të cilat deri më tani kanë përfituar ekonomikisht nga lufta për shkak të çmimeve të larta. Nëse do të jemi me fat, rreziku i një rënieje të sinkronizuar globale do të zvogëlohet deri në fund të këtij viti.

Por për momentin, shanset e recesionit në Evropë, SHBA dhe Kinë janë serioze dhe në rritje, dhe një kolaps në një rajon, do të rrisë shanset e kolapsit në rajon të tjera. Inflacioni aktual në nivele rekord nuk i lehtëson aspak gjërat. Unë nuk jam i sigurt nëse politikanët dhe politikë-bërësit janë në lartësinë e detyrës, për t’u përballur së shpejti dhe si duhet me këtë situatë.

Shënim: Kenneth Rogoff, profesor i ekonomisë dhe politikave publike në Universitetin e Harvardit. Gjatë viteve 2001-2003, ka qenë krye-ekonomist i Fondit Monetar Ndërkombëtar

/Bota.al

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull