Gazetarja e Radios Evropa e Lirë Vira Hyrych u vra në Kiev pasi ushtria ruse goditi me raketë të enjten në mbrëmje një godine banimi.
Trupi i pajetë i gazetares u gjet mes të rrënojave të ndërtesës sot herët në mëngjes (29 prill), bëri të ditur shërbimi ukrainas i Radios Evropa e Lirë.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres po vizitonte Kievin (më 28 prill), ndërsa Rusia ndërmori sulme ajrore ndaj kryeqytetit, duke goditur edhe një bllok apartamentesh.
Zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes Igor Konashenkov pretendoi se raketat me rreze të gjatë veprimi dhe precizion të lartë kishin goditur një fabrikë të prodhuesit të raketave Artem, që ndodhet në Kiev.
Zyrtarët ukrainas nuk kanë thënë nëse fabrika ishte goditur ose jo.
Në një postim sot në platformën “Telegram” kryetari i bashkisë së Kievit Vitali Klitschko shkruante se si pasojë e sulmit ndaj një godine banimi, një person ishte vrarë dhe 10 të tjerë ishin plagosur, por nuk dha detaje të tjera mbi ngjarjen.
Vira Hyrych, e lindur në vitin 1967, punonte për Radion Evropa e Lirë prej shkurtit të vitit 2018. Më parë ajo kishte punuar për një kanal televiziv kryesor në Ukrainë./VOA