Ish-anëtari i Kryesisë së PD-së, Roland Bejko ka ironizuar takimet dhe përqafimin e përzemert mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-kryeparlamentares, Jozefina Topalli.
Përmes një mesazhi në rrjetin social ‘Facebook’, Bejko thekson se pa dalë të vërtetat, PD-ja nuk do të gjejë qetësi.
REAGIMI
Ndiq parimin: “Mos u gëzo i gëzuar, mos u hidhëro i hidhëruar”, dhe gjithçka do shkojë në vendin e vet
Përveç Bashës, gjithë të tjerët që gjatë këtyre viteve hodhën gurë mbi Zhozefinën, Arbenin, Astritin,Myslimin, Rudinën etj , janë përsëri aty, së bashku; Berisha, Spaho, Paloka, Ristani, Albana, Oerdi, Belindi, Tritani, madie paska shkuar edhe ishzëdhënësia e Bashës me ish shefin e tij të kabinetit, pra gjithë establishmenti që drejtonte PD-në ( me Bashën), ndante ofiqet, ngushtonte hapësirat për të tjerët, shkatëronte meritokracinë dhe projektonte veten në bollukun e pushtetit që nuk ishte larg, sipas tyre, mjaftonte të zgjasje pak më shumë dorën dhe e kapje…
Sot është dita t’u tregoj dy episode për të kuptuar se morali në atë stan që e quan veten parti demokratike, nuk ka pikë vlere. Turpi aty, nëse e dinë çfarë është, hahet me bukë. Askujt nuk i bën përshtypje.
1. Kur përjashtuan Rudina Hajdarin, vajzën e Azemit, Myslim Murizin dhe gjithë deputetët që nuk pranuan të digjnin mandatet, bëra një shkrim. Këta që janë sot në atë sallë më masakruan. Në protestën e pas disa ditëve te Parlamenti, më kthenin shpinën. Më shikonin si armik, si të dyshimtë. Pak ditë më vonë shkoi Basha në Gjirokastër. Ku të linte Tritani me Kryetarin e Degës t’i qaseshe! Paske ardh dhe ti,-më tha Basha, mirëse erdhe. Kishin hall se mos merrja mandatin. Tritani i quante pupacë deputetët që shkuan në parlament.. Tani janë bashkë në një sallë. Edhe Rudina, dhe Myslimi, edhe Saliu dhe Tritani, edhe Mondi, dhe Edi, edhe Albana dhe Zhozefina, edhe Belindi dhe Ina, etj. Mungon vetëm Basha.
2. Te hotel Tirana po zhvillohej një takim me Drejtorin Ekzekutiv të Konrad Adenauerit ardhur nga Gjermania. Në sallë ishte gjithë paria e PD, Luli, Saliu, kryesia, deputetët. Ishte dhe Zhozefina. Kur mbaroi takimi u kalua te holli ku ishin tavolinat me pije e ëmbëlsira. Isha me Agron Gjekmarkajn në një tavolinë në këmbë diku te cepi i sallës. Me sy po ndiqnim Zhozefinën. I shmangeshin të gjithë pa përjashtim ata që po e duartrokasin sot në atë sallë. Kur u afrua tek ne, u gjend mirë. Trokitëm gotat dhe biseduam për qejfin tonë. As unë dhe as Agroni nuk e kishim merak se “udhëheqja” po na shikonte të pinim, të bisedonim dhe të gajaseshim së bashku me “të padëshiruarën” e tyre. Tani ata janë bashkë, me Zhozefinën. E duartrokasin kur po i kritikon për konformizmin që treguan duke e larguar nga partia. Unë e Agroni, s’jemi me ta.
Sot, Saliu i tha Zhozit “hajd të përqafohemi se na ndau Luli”. Berishës iu deshën 9 vite për ta kuptuar se me Zhozefinën e ndau Luli.(!!) Ndërsa Luli, sot ka përsëri rastin të na ndriçojë nëse Zhozefinën, Astritin, Arbenin etj i largoi me kokën e vet dhe Saliu nuk dinte gjë apo i largoi se nuk i donte Saliu? Apo, të dyve u interesonte t’i largonin nga drejtimi i partisë dhe për këtë kishin rënë dakord të dy?!
Pa dalë këto të vërteta, ajo parti, kurrë nuk do gjejë qetësi, dhe kurrë nuk do ketë shans të rimëkëmbet. E dini pse?
-Sepse elitës së saj të përjetshme që hem të përjashton, hem të pranon, i mungon karta morale.