NGA SOT KEMI DY PARTI DEMOKRATIKE

3 Minuta Lexim
Nga Sebastian ZONJA –
Kuvendi i kësaj të shtune i Partisë Demokratike, i organizuar nga”Rithemelimi”, për mirë, apo për keq, de fakto, e ndan PD-në më dysh, dhe bën që të kemi një Parti të re pas vendimit të Apelit. Gjasat janë se do të jetë Rithemelimi subjekti i ri, sepse që nga Kuvendi i 11 Dhjetorit, të gjithë hapat e ndërmarrë janë për të themeluar një subjekt të ri politik.
Aktualisht, në njërin krah është PD-ja zyrtare që njeh Kuvendi në bisedimet për Presidentin dhe ajo që njohin ndërkombëtarët, e në krahun tjetër është Grupi i Rithemelimit.
Shumica e deputetëve të Grupit Parlamentar nuk kanë lëvizur nga istikami i shtatorit. Berisha ka thuajse të njëjtin grup që tërhoqi në fillim. Palët janë të ndara kësisoj ka muaj. Çarja është thelluar në bazë dhe e vetmja zgjidhje është që të ketë dy subjekte politike. Një çift që nuk fle më nën të njëjtën çati, s’ka pse të qëndrojë bashkë për hir të lagjes.
Ndërsa po shihja listën e bërë publike për kandidimet e sotme në organet drejtuese të PD-së së “Rithemeluar”, kuptova se kam më shumë miq nga ana e “Rithemelimit” se nga ana e PD-së zyrtare.
I uroj fitore të gjithëve pa përjashtim dhe vlen të theksoj se janë miq të shtrenjtë që debatojmë shpesh, dhe ndonjëherë me ton, për probleme të aktualitetit dhe të së djathtës!
Gjithashtu, uroj të ma mbushin mendjen në zgjedhje që t’i votoj, e të mos bien në kurthin e propagandës boshe e të rrezikshme që bën Berisha me Sorosin e me dy Amerika, siç kanë rënë pjesa tjetër në refrenin bajat “je non-grata”! E thonë sepse duan të fshehin paaftësinë e tyre organizative, jo si një realitet politik me të cilin duhet të përballen.
Thembra e Akilit për një politikë më të mirë në Shqipëri është dalja përpara drejtësisë e të korruptuarve të qeverisë Berisha dhe asaj Rama. Nëse PD-ja e “Rithemeluar” kthehet në mburojë të Berishës dhe shpurës së të korruptuarve të tij përpara drejtësisë, s’ka asnjë ndryshim nga tetë vjetët e Bashës që kishte bashkëqeverisje informale me Ramën dhe bashkëkryetarllik formal me Berishën.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull