Këmbëkryq në mes të rrugës, banorët rikthehen në protestë dhe bllokojnë lëvizjen në Rinas

2 Minuta Lexim

Banorët e zonës së Rinasit kanë dalë përsëri sot në protestë pasi nuk u mbajt premtimi i dhënë nga autoritetet për hapjen e rrugës me dy sense. Sot, në ditën e tretë të protestës, ata janë ulur këmbëkryq në mes të rrugës dhe nuk lejojnë lëvizjen e mjeteve.

Edhe më datë 2 dhe 3 maj ata kanë protestuar në të njëjtin vend, por dje pas gati 2 orësh kanë hapur rrugën. Kryeplaku ju tha se kishte komunikuar me autoritetet dhe ata i kishin bërë me dije se në mbrëmje rruga do të hapej në të dy krahët.

Kjo nuk ka ndodhur dhe sot banorët e zonave përreth aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza” kanë dalë të protestojnë. “Ata janë treguar shumë inferior. Nuk na kanë pyetur fare. Ne duam të shkojmë në punë, nuk duam gjë tjetër”, thotë sot kryeplaku i fshatit.

I ndodhur mes banorëve sot edhe pse dje ju tha se do të merreshin masa, sipas asaj që atij i kishin komunikuar autoritetet, kryeplaku tregoi se premtimi nuk është mbajtur. Protestës i janë bashkuar dhe nxënësit e shkollës dhe gra nga familje të zonës.

“Pati kontakte, na thanë që po bisedonim. Ne kemi komunikime me deputetët e zonës, me përfaqësuesit lokalë. Kemi kërkuar që të shkojmë një përfaqësi në Autoritetin Rrugor, deri tani s’ka asnjë përgjigje”, u shpreh Sabah Muja, kryeplak i Rinasit.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull