Finalja e madhe e Eurovision 2022, që do të mbahet të shtunën e 14 majit në Torino, do të ketë të ftuar një mysafire shumë speciale. E para italiane që ka fituar kompeticionin evropian të këngës, Gigliola Cinquetti, do të performojë në ‘PalaOlimpico’.
Janë pothuaj 60 vjet që kur Gigliola fitoi Eurovision Song Contest me këngën “Non Ho L’età (Per Amarti)”. Që nga ajo fitore në 1964, kënga është kthyer në skenën e Eurovizionit për herë të dytë – në 1991, kur festivali u organizua në Romë. Gigliola, atë vit bashkëprezantoi Eurovizionin, duke performuar gjithashtu edhe këngën klasike.
Tani, artistja e dashur nga Verona do ta rikthejë këngën edhe një herë në rrënjët e saj të Eurovizionit dhe do të këndojë “Non Ho L’età (Per Amarti)” në skenën e “PalaOlimpico”në finalen e madhe, në Torino. Interpretimi i hitit nga Gigliola do të jetë pjesë e një serie interpretimesh me intervale përgjatë tri shfaqjeve, më 10, 12 dhe 14 maj, të cilat do të shoqërohen me disa momente të përjetshme të kontribuuara nga Italia në Eurovision Song Contest ndër vite.
Gigliola Cinquetti
Ishte vetëm 16 vjeç kur fitoi garën evropiane të muzikës në vitin 1964 dhe u bë jo vetëm fituesja e parë e Eurovizionit në Itali, por edhe këngëtarja më e re që ka fituar këtë festival.
Artistja konkurroi sërish në Eurovisionin e vitit 1974, i cili u mbajt në Brighton, ku përfaqësoi edhe një herë Italinë. Duke interpretuar këngën ‘Si’, ajo u rendit në vendin e dytë me 18 pikë pas ‘Waterloo’, nga grupi i famshëm ABBA i Suedisë, që fitoi me 24 pikë.
Që nga fitorja e saj në Eurovizion në 1964, këngëtarja ka shitur miliona disqe anembanë botës, ka bërë një turne të gjerë në shumë vende nëpër botë dhe ka krijuar një karrierë si prezantuese televizive në Itali.
Rikthimi i saj në Eurovision të shtunën më 14 maj do të pritet me shumë dashamirësi nga italianët dhe publiku ndërkombëtar, me performancën e saj të përjetshme që, pa dyshim, do t’i sigurojë finales një elegancë që do të mbahet mend gjatë.