Piktura e famshme e Marilyn Monroe nga Andy Warhol u shit për 195 milionë dollarë në një ankand bamirësie të Christie’s të hënën mbrëma, duke vendosur një rekord për veprën më të shtrenjtë të artit amerikan të shitur ndonjëherë.
Piktura ikonë e Warhol theu rekordin e mëparshëm të vendosur nga piktura e patitulluar e kafkës e artistit të ndjerë nga Brooklyn, Jean-Michel Basquiat, e cila arriti në 110.5 milionë dollarë në një ankand të Sotheby’s në Nju-Jork në vitin 2017. Warhol kishte mbajtur rekordin para Basquiat, pasi puna e tij e vitit 1963, “Silver Car Crash (Double Disaster)”, u shit për 105.4 milionë dollarë në 2013-ën.
Të gjitha të ardhurat nga shitja do t’i shkojnë Fondacionit Thomas and Doris Ammann Cyrih, i cili e nxori pikturën në ankand. Fondacioni synon të ndihmojë fëmijët me kujdesin shëndetësor dhe programet arsimore.
Piktura ka një histori interesante. Fillimisht pesë sfondet e mëndafshta të pikturuara në vitin 1964 u ruajtën në studion e Warhol në Nju-Jork, The Factory. Sipas Artsy, artistja performuese Dorothy Podber u ndal dhe e pyeti nëse ajo mund t’i “gjuante” ato, dhe ai tha po, duke supozuar se donte të thoshte me një aparat fotografik. Podber nxori një armë dhe i qëlloi të gjitha, përveç ngjyrës turkeze.
Warhol i restauroi katër pikturat dhe ato u bënë të njohura si “Shot Marilyns”.
Të pesta pikturat janë shitur për shuma të ndryshme parash gjatë viteve. Së pari, në vitin 1967, piktura e sfondit blu u shit për 5,000 dollarë. Sfondi portokalli u shit për 17.3 milionë dollarë në vitin 1998, më pas shkoi te menaxheri i fondit mbrojtës Ken Griffin për një shumë të përfolur prej 200 milionë dollarësh.