“Më lër të të pres penalltinë sepse kam nusen në stadium”, kërkesa e çuditshme ndaj Neymar

2 Minuta Lexim

Në ndeshjen e fundjavës që PSG barazoi me Troyes, lajmi nuk ishin vërshëllimat e tifozëve të Parisit, hapi i radhës fals i ekipit të mbushur me yje apo lënia në stol sërish e Sergio Ramos.

Në një ndeshje të parëndësishme për PSG, që është shpallur tashmë kampion, protagonisti i mbrëmjes ishte portieri i Troyes dhe jo vetëm për pritjet e tij të jashtëzakonshme.

Në minutën e 23-të të ndeshjes, kur sfida ishte 1-0, arbitri akordoi 11-metërsh për PSG. Neymar iu afrua pikës së bardhë dhe pikërisht në këtë moment, portieri Jessy Moulin iu afrua brazilianit duke i bërë një kërkesë që shkaktoi të qeshurat e sulmuesit.

Vetë portieri i tregoi “Le Parisien” se i kishte kërkuar Neymarit që t’i tregonte se nga cila anë do të godiste: “I thashë se nëse do t’i prisja penalltinë, do të bëja krenarë prindërit e mi, vëllezërit dhe nusen, që kishin ardhur në stadium. Ju luta të më tregonte të paktën nga do të godiste. Ai më tha që t’i tregoja nga do të hidhesha, që të më tregonte nga do të godiste. “Zgjidh krahun se ta them unë”, m’u drejtua. Nuk ia tregova krahun, por gjatë gjithë këtyre batutave, qeshëm shumë”.

Si përfundim, Neymar shënoi, me portierin që nuk u hodh fare, duke menduar se braziliani do të bënte një “Panenka”.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull