Mashtroi qytetarin për një vend pune dhe i mori 2500 euro, shpallet në kërkim 27-vjeçarja nga Vlora

2 Minuta Lexim

Policia e Vlorës ka reaguar pas denoncimit të bërë mbrëmjen e djeshme nga emisioni “Stop”, në lidhje me rastin e Joana Bocajt, 27-vjeçarja e cila mashtronte persona të ndryshëm duke u ofruar vende pune kundrejt një pagese.

Sipas njoftimit të uniformave blu bëhet me dije se Bocaj është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e saj.

Bocaj e cila sipas denoncuesit, është prezantuar si punonjëse e Operatorit të Kujdesit Shëndetësor në Vlorë dhe ka thënë se i duheshin rreth 100 punonjës pasi mbulonte gjithë jugun.

Denoncuesi thotë se ka paguar 2500 euro te Joana Bocaj, e cila i kishte premtuar që nusja e djalit të fillonte punë si shefe finance në Spitalin Memorial të Fierit.

Bocaj i dha edhe një urdhër emërimi dhe procedura do të përfundonte për dy muaj. Por kaluan më shumë se 6 muaj dhe ende asgjë.

Njoftimi i plotë:

Vlorë

Pas transmetimit të mbrëmshëm, të një rasti në emisionin investigativ “Stop”, gjatë të cilit një shtetase mashtronte, duke përfituar shuma të konsiderueshme parash, persona të ndryshëm dhe nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve zyrtare u premtonte atyre vënde pune ose favore të ndryshme, ju sqarojmë se:

Specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Vlorë referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, si dhe shpallën në kërkim shtetasen J. B., 27 vjeçe, banuese në lagjen “Lirimi”,Vlorë.

Vijon puna për kapjen e saj.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë falënderon mediat dhe qytetarët për bashkëpunimin dhe i fton ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, duke iu garantuar reagim të shpejtë dhe të paanshëm.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull