Unë kam numëruar deri në 50 familje të afërmish dhe të njohurish të ngushtë, nga të cilët vetë 5-6 e kanë të varur jetesën plotësisht nga punët që bëjnë në Shqipëri. Të tjerët, ose kanë fëmijët jashtë që u sjellin rregullisht para, ose shkojnë dhe punojnë vetë, në mënyrë sezonale.
Nga Mentor KIKIA –
Një pjesë e mirë prej tyre jetojnë në fshat. Këtë vit plehrat kimike u rritën me 150%. Ndërsa inputet e tjera pësuan sërish një rrite me gati dyfish. Fshatarët “reaguan” ndaj këtij realiteti. Ata nuk i blenë plehrat kimike dhe tregtarët e shumicës, që kishin magazinat plot, i rieksportuan ato në Kosovë e Serbi. Pra këtë vit do të kemi më pak toka të mbjella dhe rendimente më të ulëta.
Por si jetojnë ata?
Një pjesë i lanë tokat e tyre pa mbjellë apo pa shërbim dhe ikën të punojnë në Greqi. Me 3-4 muaj punë atje sigurojnë të ardhurat sa për të jetuar një vit. Ndërsa të tjerët mbjellin ca perime sa për nevojat familjare dhe presin fundin e muajit tu sjellin para fëmijët nga Italia, Gjermania, Anglia….
Padyshim që ka dhe një kategori që rropatet ne pune e mbijeton nga shitja e ndonjë bidoni me qumësht, ndonjë prodhimi tjetër bujqësor e blegtoral, ndihmuar edhe nga ndihma ekonomike që jep shteti.
Disa familje të tjera, nga ata që unë listova më lart, jetojnë në qytet. Kush në ndonjë punë në administratë, kush duke shitur ç’të mundë, e kush tjetër duke iu falur ndihmës ekonomike. Por gati të gjithë presin në fund të muajit një ndihmë nga fëmijët emigrantë.
Ka nga ata që jetojnë mirë, siç ka nga ata që jetojnë keq. Ka nga ata në fshat që nuk u hyn fare në punë toka, e nuk marrin as ndihmën ekonomike, pasi fëmijët punojnë prej kohësh në emigracion dhe i sigurojnë të ardhuara të bollshme, sikurse ka nga ata që presin paratë e fëmijëve të paguajnë borxhet tek dyqani i ushqimeve.
Por në fund, të gjithë sigurojnë nga emigracioni aq para sa u mjaftojnë që të kenë në tryezë bukë, djathë e domate dhe një kafe e një dopio raki në mëngjes, tek kafeneja e lagjes.
Kjo në fakt është fotografia e shoqërisë shqiptare sot. Emigracioni, në vitet e para postkomuniste e shpëtoi këtë popull nga uria. Por 30 vjet më pas, ai është shndërruar në skllavërim për shoqërinë tonë.
Shumica e njerëzve mjaftohen modestisht me standardin bukë, djathë e domate. Dhe ky standard arrihet, më së shumti, me ndihmën e emigrantëve. Dhe, një shoqëri që ende lumturohet me faktin se ka bukë, djathë e domate, nuk kërkon standade demokracie dhe lirie.
Një familje, të cilës fëmijët i kanë ndërtuar shtëpinë, i kanë sjellë makinën, i sjellin para për tu veshtur, ushqyer, për të bërë pushime etj, nuk rebelohet kundër qeverisë as për çmimin e karburantit, as për vjedhjen e votës.
Një familje e varfër, që në fund të muajit energjinë e paguan me paratë që i sjell djali nga jashtë, sërish është e kënquar që elektricisti nuk vjen tia fikë dritat.
Një fshatar që braktis tokën sepse u rritën çmimet e plehrave dhe pesticideve, nuk del në rrugë të protestojë, derisa mund të ikë të punojë në fermat e grekëve për të siguruar bukën që nuk e siguron dot në tokën e tij.
Një burrë që mjaftohet me 300 euro në muaj që i sjell i biri, për bukë, kafe dhe raki, sërish nuk mund të rebelohet kur mëson sesi qeveria abuzon me buxhetin, tenderat, pasuritë publike, PPP-të.
Emigrantët, me paratë që sjellin në Shqipëri, kontribuan për të ndryshuar këtë vend, pasi mijëra shtëpi të reja janë pasojë e djersës së tyre. Por ata kontribuan edhe për të kultivuar një gjeneratë dembele këtu. Dhe, nëse nuk do të pajtoheni me këtë përcaktim, po them se kanë kontribuar në kultivimin e një shoqërie indiferente. Një shoqërie indiferente për fatin e saj. Me këtë siguri, se çfarëdo që të ndodhë, për bukë nuk do të vdesim, ka bërë që ne të kultivojmë një klasë politike gjithnjë e më hajdute. Duke mos i kerkuar llogari, e duke mos e vene para pergjegjesise me reagimet tona.
Kjo justifikon edhe një fakt tjetër: Megjithëse një shoqëri me probleme të mëdha ekonomike, kafenetë qëndrojnë të mbushura plot, natë e ditë.Sepse ky është i vetmi vend ku njeriu shpenzon më shumë nga sa fiton.
Ndaj dhe sot qeveria nuk ia mundëson votën emigrantëve. Asaj i mjaftojnë paratë që ata sjellin, për të mbajtur gjallë dhe pa pretendime, popullin e urte votues këtu.
Foto 1: Emigrantet ne radhe per te kaluar kufirin me Greqine
Foto 2: Emigrantet duke punuar ne fushet e Greqise
Foto 3: Kafene ne Tirane, qe gelojne nate e dite
Ilirjan Shoqata Dhima, Gerti Shella dhe 697 të tjerë
68 komente
35 ndarje
Pëlqej
Komento
Ndaj