Nga Gerardo VILLANACCI-
Hipokrizia është emri, përmes të cilit mund të kuptohet përmasa çnjerëzore e luftës në Ukrainë. Para së gjithash, këtë e tregon në mënyrë të përsëritur presidenti i Federatës Ruse, i cili nuk mundet që ta emërtojë luftën për atë që është vërtet, dhe që u shkaktua prej tij.
Apo hipokrizia e treguar nga ambasadori i Rusisë në Itali, që ka paraqitur një padi në prokurori për disa gazetarë italianë, që sipas tij nuk kanë respektuar shtetin ligjor të vendit të tij, ndërsa po ky vend vret sistematikisht civilë edhe brenda spitaleve dhe shkollave ukrainase.
Ishin kohë të tjera, në të cilat kishte arsye të vlefshme për t’u kënaqur me pritshmëritë. Në preambulën e Kartës së Shën Françeskut (të vitit 1947) mbi të cilën u themelua OKB-ja, fjalët e para shprehnin qëndrimin e vendosur të Kombeve të Bashkuara “për të shpëtuar brezat e ardhshëm nga fatkeqësia e luftës”.
Fjalë të fuqishme, jo vetëm me vlerë simbolike, por edhe shprehje e një angazhimi konkret të ndërmarrë nga qeveria e parë botërore në historinë e njerëzimit. Pikërisht për këtë arsye, sot është më e dukshme hipokrizia e mos-dëshirimit të njohjes së asaj, që u bë e dukshme vetëm pas pak vitesh nga themelimi i saj.
Pra që Organizata e Kombeve të Bashkuara, nuk mundi të funksiononte ashtu siç e parashikonte statuti i saj. Një fakt ky i pakundërshtueshëm, i bërë i qartë për herë të parë nga Sekretari i Përgjithshëm Perez de Kuelar në Asamblenë e Përgjithshme të vitit 1989, në të cilën ai deklaroi se në kundërshtim me atë që ishte planifikuar, ligji nuk kishte arritur të zinte vendin e forcës.
Që nga ajo kohë, mund të themi me më shumë siguri, se ka ndodhur pikërisht e kundërta, që kur arma bërthamore rezultoi të ishte mjeti i vetëm i vërtetë për parandalimin e konflikteve shkatërruese. Hipokrizia e shpalljes disa herë të ndërtimit të paqes pa e dashur realisht atë, siç do të ishte e mundur të bëhej me diplomacinë parandaluese.
Mjeti i vetëm, që mund të kishte ndryshuar perspektivën kulturore ende dominuese të “paqes si një jo-luftë”. E vërteta është se pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, ka pasur një rritje të numrit të konflikteve. Një fakt, që në mënyrë hipokrite nuk është njohur kurrë si i lidhur ngushtë me refuzimin e shteteve, përfshirë ato të Këshillit të Sigurimit, për të zbatuar nisma që luftojnë përhapjen e armëve.
Nga ana tjetër, është një fakt i pashmangshëm që OKB-ja, është një institucion i përbërë nga vende që ndjekin kryesisht politikat e tyre kombëtare. E si mund të mos tërhiqte ideja e jashtëzakonshme gandiane e një korpusi civil të paqes.
E megjithatë, përvojat e ushtrive jo të dhunshme, kanë qenë shumë negative, si në rastin e Shanti Sena Indiane (korpusi civil i paqes), ndërhyrja e të cilit në Afganistan i kushtoi jetën mijëra besimtarëve të masakruar nga bombardimet britanike.
Besimi prej vitesh tek neoliberalizmi ekstrem, që filloi ta dominojë ekonominë botërore pas kolapsit ekonomik në SHBA në vitin 1929 me synim reduktimin, në mos eliminimin e plotë të rolit të shtetit në organizimin ekonomik amerikan, nuk dha rezultatet e dëshiruara.
Siç e ka treguar edhe përvoja e viteve të fundit, shtetet nuk mund të luajnë një rol periferik, të paktën në iniciativat e mbrojtjes sociale. Po ashtu, siç nuk është i mundur privatizimi dhe eliminimi total i shërbimeve publike.
Pjesa negative e globalizimit, është kryesisht pasojë e neoliberalizmit të shfrenuar, që ka marrë parasysh vetëm nevojat e tregut, me supozimin se ai mund të rregullonte nevojat e vetes, dhe sigurisht jo ato të njerëzve.
Një gabim i jashtëzakonshëm në vlerësim, nëse kemi parasysh faktin se në fund të këtij procesi, globalizimi u refuzua pikërisht nga vendet që fillimisht e ngritën në qiell. Britania e Madhe me referendumin pro Brexit për daljen nga BE-ja, dhe Amerika me zgjedhjen president të Donald Trump.
Edhe pse të zhytur në dramën e një konflikti që duket se nuk ka një rrugëdalje, ku përballë kërkesës universale për paqe, ka vetëm mbështetje financiare dhe ushtarake për Ukrainën, dhe ndoshta tek disa edhe dëshirën e fshehur dhe të çmendur që t’ia ulin sa të munden kokën agresorit duke e shtyrë atë në limitet e veta, është e nevojshme të kemi forcën dhe vendosmërinë për të ndërmarrë nisma që vënë në plan të parë interesin e njerëzve, dhe që ngjallin shpresën përmes arritjes së paqes, duke hapur perspektiva për vende të reja, dhe duke favorizuar një ekonomi jo shtypëse.
Duke qenë të vetëdijshëm se demokracia është shumë më e brishtë se sa diktatura, ne duhet të bëjmë gjithçka që të mos ndodhë ajo që ndodhi në vitin 1977 në Spoleto, ku Edoardo vendosi të ndryshojë fundin e komedisë së tij, duke e shndërruar shpresën në një dëshpërim të zymtë. / “Corriere Della Sera” – Bota