Nga Astrit CANI-
Për shqiptarët, mendoj, at çka romakët mendojshin për ilirët: janë të trashë! Nuk thom se janë budallej. Aspak. Madje ma pak budallej se ne zor se gjen në rruzull. Mirëpo, nuk jemi të hollë. Asht çeshtje mase. Si shkruhej te libri Këshillat e Djallit: e mat me kalibër, e shënon me shkumës dhe e prén me sëpatë. Ky asht edhe muhabeti me shqiptar. Në 30 vjet kafekultur, s’e kemi hollue muhabetin aspak.
Jena gjithmonë të përditësuem me budalleqet e fundit, pra nuk jemi budallej, por të djallëzuem! Afërmendsh jemi të trashë, si Trasimaku, i vetmi nxanës pellazg i Sokratit, që asht fiks Trashamaku. Me logjikë trashamaku, po kje se Sokrati nuk e shkoqit pra po s’e dha shqip argumentin, ka me hangër dru shpinës prej Trashamakut, ose dajak vendçe. I trashë si nji tokmak, Trashamak.
Ngaqë nuk kemi respekt për vedin, na karakterizon fallsiteti i ndjenjave. Studiojmë me mbrojtë gjuhët e hueja, dhe nuk mbrojmë tonën! Madje shajmë ata që e mbrojnë, kjoftë në mnyrë folklorike, por a mund të shahet njeriu që dashunon!?
Në mija vjet prani në zemër të mesdheut, s’paskemi pasë pikë roli në Romë, n’Athinë, në Kajro, në Stamboll, në Shkup, në Shkodër, në Sarajevë, në Raguzë, në Venedik e në Gjenovë?!
Nji black-out i vetënjohjes na paragjykon dhe na kthen në skllevën në kërkim të padronit, në personazhe në kërkim t’autorit.
Më kujtohet shpesh nji libërth i Josephit Roth. Udhëtim në Shqipni. Pak a shum në kohën kur Montanelli shkruente librin e tij të parë “Albania, una e mille” i dehun me Shkodër e me male, Roti vjen me porosi prej Frankfurter Allgemeine Zeitung, me shkrue mbresat e tij për Shqipninë. Roti asht shkrimtar i madh, ban pjesë te plejada austriake e fillimnandëqindës, por si gazetar s’vlen tri grosh. Shtatvogël, por tepër inteligjent dhe guximtar, gjatë viteve të universitetit, hynte me u rrahë kur austriakët rrihnin çifutët; e dinte se kishte me hangër dru, por donte me ua kursye shokëve nji racion dajaku e me e hangër vetë.
Shum prej librave të tij, këndohen ende sot me andje, por ky libërth që ka lanë për Shqipninë, nuk asht fatlum.
Në radhë të parë se nuk asht libër, ato pak artikuj duheshin lanë ashtu të hapërdamë, ose të botoheshin mbrenda veprës së plotë, por jo veçmas. Megjithate, ai shkuen disa prej faqeve ma poshtnuese për shqiptarët, dhe çka asht ma e keqja, i ka në mirëbesim. Simbas tij, simbas perceptimit të ditëve të tija në Shqipni, shqiptarët ishin skutha, burracakë, dhitsa, njerz pa personalitet, dyftyrsha, e me radhë. Mbarë repertori i bizantinizmit.
Por argumenti i tij bazohej te fuksat që e shoqnojshin, jo te populli i thjeshtë as te paria. Mos harrojmë se ishim në vitet ’30. Roti ishte i alkoolizuem. Nuk kishte nerva me zhbirilue fuksat që po e zhbirilojshin. Ban nji gabim të pafalshëm. Thotë shqiptarët nuk e kanë fjalën dashni. Ndërkohë, Lasgushi kishte shkrue poezie dashnie që me mujtë me mallëgjye edhe Heinen. 16 vjeç kishte shkrue: Se s’dashuruam as unë as ti/ Por dashuroi dashuria/ Një dashuri në fshehtësi/ M’e fshehtë dhe se fshehtësia.
E mos e paçin pasë fjalën, mein lieber Joseph, a e kishin ndjenën? Si mundet me mbijetue nji popull pa dashni?!
Asht çeshtje kandvështrimi. Kur falet nji besimtar musliman, jobesimtari i sheh prapanicën. Ai që ka besim, a respekt për besimin, a dashni për njeriun, ndjen faljen.
Kaq e thjeshtë asht!
Apo jo, Trashamak?!