Anthony Albanese, lideri i Partisë Laburiste dhe fituesi i ri i zgjedhjeve në Australi, do të jetë kryeministri i parë me origjinë nga arbëreshët e vendosur në Itali që do të udhëheqë vendin.
Kryeministri australian Scott Morrison pranoi humbjen në zgjedhjet e së shtunës dhe Partia Laburiste e opozitës pritet t’i japë fund pothuajse një dekade qeverisjeje konservatore.
Rezultatet paraprake tregojnë se ndërsa laburistët kanë pasur një rritje të lehtë, koalicioni Liberal-kombëtar i kryeministrit Morrison pësoi humbje të thella në Australinë Perëndimore dhe në përgjithësi në zonat e pasura urbane.
Udhëheqësi i opozitës Anthony Albanese do të jetë kryeministri i ardhshëm pas fitores së parë të laburistëve që nga viti 2007.
Kush është Anthony Albanese, kryeministri i ardhshëm i Australisë?
Babai i tij, Carlo Albanese, ishte në fakt nga Barletta. Megjithatë, Anthony e takoi atë vetëm vite më vonë, pak para vdekjes së tij në Itali në 2014-ën, sepse ai e braktisi atë dhe nënën e tij, Maryanne Ellery, pak pas lindjes së tij. Për të shmangur ‘skandalin’ në Australinë e viteve 1960 në një familje shumë katolike, u përhap lajmi se Carlo kishte vdekur në një aksident automobilistik menjëherë pas martesës së tij në Evropë.
Vetëm kur ishte 14 vjeç Anthony, të cilin miqtë e quajnë ‘Albo’, mësoi të vërtetën nga nëna e tij, e cila e ka rritur atë në kushte mjaft të vështira, në një banesë sociale dhe me pension invaliditeti. Carlo ishte stjuard në një anije lundrimi kur takoi Maryanne në vitin 1962 gjatë udhëtimit të vetëm jashtë shtetit të jetës së tij në Azi dhe Evropë. Në Sidnej ajo ishte beqare dhe katër muajshe shtatzënë siç tregon biografia e vitit 2016, ‘Shqiptare: Duke e thënë drejt’.
Burimi: Tirana Post