BE: “Ok” ndalimit të naftës ruse; liderët e Unionit bien dakort për sanksione të reja

2 Minuta Lexim

Deri në fund të këtij viti, Bashkimi Evropian do të ndalojë 90 për qind të importeve të naftës ruse. Ky ishte vendimi i liderëve të unionit në mbledhjen maratonë për sanksionet e reja.

 URSULA VON DER LEYEN

PRESIDENTE E KOMISIONIT EVROPIAN

“Jam shumë e lumtur që liderët arritën të bien dakord në parim për paketën e gjashtë të sanksioneve, kjo është shumë e rëndësishme. Unioni duhet të jetë në gjendje të finalizojë një ndalim për pothuajse 90% të të gjithë importeve të naftës ruse deri në fund të vitit. Do të bëhet një përjashtim për segmentin jugor, i cili përbën 10% të importeve të naftës ruse.

Po ashtu liderët ranë dakord të heqin Sberbank, bankën më të madhe të Rusisë, nga rrjeti SWIFT, si dhe të vendosin një ndalim të sigurimit të anijeve ruse nga kompanitë e unionit.

I menjëhershëm ishte reagimi Kremlinit. Përfaqësuesi i Rusisë në Vjenë, deklaroi se vendosja e masave ndëshkuese do të ndikojë edhe më shumë në ekonominë botërore. Ndërkohë kompania “Gazprom” ka njoftuar këtë të martë se ka ndërprerë furnizimin me gaz për Holandën.

Nafta e papërpunuar Brent u rrit me 1.3% duke shkuar ne 123.29 dollarë për fuçi.

Nga ana tjetër, inflacioni në Gjermani dhe Francë ka arritur nivelin më të lartë që prej viteve ‘70. Në muajin maj mallrat dhe shërbimet në Gjermani kushtonin mesatarisht 7.9 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa në Francë 5.9 për qind.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull