Petra, të gjitha sekretet e qytetit të jashtëzakonshëm të lashtësisë

7 Minuta Lexim

Në Jordani, midis Detit të Vdekur dhe Detit të Kuq pranë një dige ndodhet një kanion. Ai të çon drejt një qytetit unik, Petra. Ky vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s është një nga më tërheqësit në botë për turistët.

I ndërtuar nga Nabataeanët e lashtë si një qytet karvanesh nga shekulli IV Para Krishtit deri në shekullin I të Erës Sonë, godinat e tij janë unike për shkak se janë gdhendur në faqen shkëmbore të shkëmbinjve të kuq ranorë. Për këtë arsye Petra quhet nganjëherë Qyteti i Trëndafilave. Por shumë gjëra mbi të mbeten ende enigmë. Si për shembull, nuk ende e qartë sesi u arrit të ndërtohet në një nga zonat më të thata në botë.

U bë i pasur nga tregtia e erëzave dhe temjanit

Vendndodhja strategjike midis Detit të Vdekur dhe Detit të Kuq, e bëri një udhëkryq të tregtisë së mallrave midis Egjiptit, Arabisë, si dhe Azisë Lindore dhe Jugore. Temjani dhe mirra nga Omani kalonin rregullisht nëpër Petra, ashtu si edhe erëzat nga India dhe pëlhurat nga Siria.

Petra ishte e njohur si në traditat biblike po ashtu edhe në ato greko-romake. Ajo ndodhej në Wadi M?s?, që do të thotë: “Lugina e Moisiut”, pra një vend ku Moisiu goditi një shkëmb për të nxjerrë ujë. Në Bibël, qyteti quhej “Sela”, që në greqisht do të thotë “Petra”. Të dy termat nënkuptojnë fjalën “gur” dhe i referohen shkëmbinjve ranorë mbi të cilët është ndërtuar.

E arriti kulmin nën drejtimin e Nabateasve

Në fillim Nabataeasit ishin arabë nomadë që vinin nga shkretëtira e Negevit në Izraelin e sotëm. Dihet se ata ishin tregtarë të temjanit, dhe shumë shpjet arritën të dominonin tregtinë në rajon duke krijuar perandori. Nga Petra, ata ushtronin kontroll mbi tregtinë që vinte nga larg si Kina, duke grumbulluar pasuri përmes taksave. Nuk dihet me saktësi data e themelimit, por dihet se ata kanë qenë të pranishëm atje në vitin 312 Para Krishtit kur përmenden në të dhënat greke. Në kulmin e saj Petra kishte mbi 30.000 banorë.

Kishte një nga sistemet më të mira të ruajtjes së ujit

Nabataeasit ishin ekspertë në ruajtjen e ujit. Ata përdornin cisterna për ta ruajtur ujin, të cilin e fshihnin me shenja që shiheshin vetëm nga ata. Petra vuante nga thatësira ekstreme por edhe ndaj përmbytjeve të mëdha sezonale. Kështu një grup turistësh francezë u mbytën nga një përmbytje e madhe në vitet 1960. Çuditërisht, Nabataeanët e lashtë nuk hasën probleme të tilla, sepse ishin inxhinierë shumë të mirë të menaxhimit të ujit.

Arkitektët e Petrës ishin shumë të zgjuar

Mënyra se si Nabataeasit e ndërtuan Petrën i kishte habitur prej kohësh studiuesit, derisa imazhet me lazer filluan të ofrojnë disa të dhëna. Në fillim ata gdhendën shkallë prej guri përgjatë faqes së shkëmbit. Më pas muratorët dhe artistët do t’i përdornin ato shkallë për të vazhduar punën më në thellësi.

Shumica e njerëzve jetonin ndoshta jashtë godinave

Arkitektura e brendshme ka bërë që shumë studiues të supozojnë se këto godina nuk ishin rezidenca banimi. Përkundrazi, shumica e tyre ishin në fakt varre. Për disa kohë, ekspertët kishin supozuar se ky ishte funksioni i vetëm i Petrës, ashtu si nekropolet e Egjiptit të lashtë. Por kur u kuptua se atje kanë jetuar edhe njerëz, lindi pyetja se ku qëndruan saktësisht.

Disa spekuluan se duke pasur një trashëgimi nomade, Nabateasit mund të kenë zgjedhur të jetonin në tenda, duke i përdorur godinat e tyre monumentale të gurit për të nderuar të vdekurit e tyre.

Teatri mbante deri 4000 spektatorë

Nabataeasit gdhendën edhe amfiteatrin mbi shkëmbinjtë e kuq. Ai u ndërtua gjatë mbretërimit të Aretas IV. Bëhet fjalë për një amfiteatër tipik të stilit greko-romak, ku mund të uleshin dhe ndiqnin shfaqjet deri në 4000 spektatorë. Romakët e rikontrostruktuan atë më vonë, dhe për këtë arsye njihet ende sot si Teatri Romak.

Nën këtë qytet gjenden rrënoja të tjera

Ndërsa shumica e turistëve e vizitojnë Petrën për të parë punimet e mrekullueshme të gurit, kjo zonë përmban rrënoja të tjera historike nga popujt e mëvonshëm. Më i njohuri prej tyre është AlWu’eira, që u ndërtua nga mbreti kryqtar Balduini I, i cili e sundoi Jerusalemin gjatë viteve 1100-1118. Pra fortesa ka të ngjarë të jetë ndërtuar mbi fortifikimet e vjetra Nabataease ose romake. Ata ndërtuan një rrugë të gjatë e të drejtë me kolona që shkon direkt në qendër të qytetit.

Humbi gjurmët pas disa tërmeteve dhe u rizbulua në shekullin XIX

Në shekullin I Para Krishtit, Nabataeasit nisën të binin nën ndikimin e romakëve. Në vitin 64 Para Krishtit, mbretëria filloi t’i paguante një taksë vjetore Romës. Në vitin 106 Pas Krishtit, mbretëria Nabataease u aneksua plotësisht nga Perandoria Romake. Kjo çoi në një rënie të përgjithshme të Petras, pasi ndryshuan edhe rrugët tregtare.

Fundi i Petrës u përshpejtua nga tërmetet masive të viteve 363 dhe 551. Petra u braktis menjëherë, duke nisur të harrohet. Kjo deri në fillimin e shekullit të 19-të, kur eksploratori i ri zviceran Johan Burkhard vizitoi Sirinë në vitin 1809. Gjatë një udhëtimi nga Siria në Kajro, ai dëgjoi për Petrën, e cila ruhej nga popullsia vendase. Burkhard u maskua si një banor i zonës. Pasi e vizitoi ai shkroi gjerësisht për të në një libër më kujtime nga udhëtimi. Nga ai moment Petra u bë vendi më i vizituar në Jordani dhe një nga më të vizituarit në botë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull